Maqedoni

Xhaferi: NATO, interes strategjik i vendit

04.04.2014 18:36

Interes strategjik i vendit është anëtarësimi në NATO, për çka ekziston konsenzus i plotë mes partive politike dhe mbështetje nga ana e shumicës së qytetarëve...

Interes strategjik i vendit është anëtarësimi në NATO, për çka ekziston konsenzus i plotë mes partive politike dhe mbështetje nga ana e shumicës së qytetarëve, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, me rastin e ditës së NATO-s, 4 prillit. Deri tani vendi ka kryer 14 cikle, ndërsa tani po përfundon ciklin e 15-të të planit aksionar për anëtarësim dhe që nga viti 2008, Maqedonia është e gatshme të marrë të gjitha obligimet që dalin nga anëtarësimi në aleancë, tha Xhaferi.
 
Ai njëherit theksoi se Maqedonia ka dhënë kontribut të veçantë për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajonin euroatlantik, por edhe më gjërë, duke u përfshirë në operacionet ndërkombëtare, ku nga viti 2002 janë përfshirë mbi 3 mijë e 300 ushtarë të ARM-së. Aktualisht armata e Maqedonisë është e përfshirë në tre misione ndërkombëtare të paqes, si dhe jep mbështetje logjistike për ushtarët e KFOR-it në Kosovë. 
 
“Jam i bindur se në shtator, në samitin e NATO-s, mbretëria e bashkuar dhe vendet anëtare do ta gjejnë mënyrën se si pikë kryesore në agjendën e vet të vendosin çështjen e zgjerimit me vende të reja. Në dy dekadat e kaluara, interesi strategjik i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO, për realizimin e së cilës ekziston konsenzus dhe mbështetje e gjërë nga qytetarët, pasi Republika e Maqedonisë ndan dhe prodhon vlera të njëjta me shtetet anëtare të aleancës”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi.
 
Maqedonia tanimë i ka plotësuar kriteret për anëtarësim dhe pengesë e vetme mbetet kontesti me emrin, theksoi Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë.  
 
“Republika e Maqedonisë kriteret dhe standardet i ka plotësuar që moti, për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, për fat të keq, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit, respektivisht kontestit me Greqinë edhe më tutje ne mbetemi jashtë NATO-s, por kjo nuk do të thotë se të gjithë së bashku, atlantistët bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Jashtme, t’i afrohemi dhe përmbahemi kritereve të cilat na kërkohen”, theksoi nga Këshilli Euroatlantik i NATO-s, Ismet Ramadani.
 
Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, shënon tradicionalisht 4 prillin, ditën e NATO-s. (Gyltene Sinani, TVM2)