Sulmi në Munih, tre shqiptarë në mesin e viktimave

23.07.2016 18:12

Tre shqiptarë nga Kosova kanë mbetur të vrarë, mes 9 viktimave nga sulmi me armë zjarri në Munih...

Tre shqiptarë nga Kosova kanë mbetur të vrarë, mes 9 viktimave nga sulmi me armë zjarri në Munih, mbrëmjen e djeshme më 22 korrik.

Armela Segashi 14 vjeç, shoqja e saj Sabina Sulaj dhe Dijamant Zabergja 21 vjeç nga Kosova ishin në vendin ku 18-vjeçari me kombësi gjermano-iraniane hapi zjarr mbi njerëzit. Lajmin e hidhur për vdekjen e tyre e konfirmuan familjarët dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës  e cila shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira për ta dhe gjithë komunitetin shqiptarë kudo në botë.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtë e Maqedonisë ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve në sulmin e djeshëm terrorist në Munih dhe ka njoftuar se deri më tani nuk ka informata për qytetarë maqedonas të lënduar apo të vdekur.

Policia e Munihut thotë si sulmuesi i ri ka kryer vetëvrasje dhe nuk kishte lidhje me shtetin islamik.

“Sulmuesi është një 18 vjeçar. Ai ishte lindur dhe rritur në Munih, ishte nxënës. Banesa e tij ose më mirë dhoma në të cilën ai jetonte u kontrollua dhe nuk është gjetur asnjë lidhje me shtetin islamik, në dokumentet që kemi gjetur ka indikacione për këtë hapje zjarri, që do të thotë se sulmuesi është marrë me këtë temë” – tha Hubert Andre, kryeshef i policisë së Munihut.

Dëshmitarët e ngjarjes që kanë qenë të pranishëm në qendrën Olimpia ku ndodhi incidenti i tmerrshëm, të frikësuar rrëfejnë momentet e tmerrit.

“Përjetova momente të tmerrshme. Pashë shumë gjak, kufoma kudo. Pashë një djalë të ri, pashë trupa. Fola me nënën e njërit prej të lënduarve me telefon dhe i thash se djali i saj është mirë dhe do të mbijetojë. Ai më tha se nuk dua të vdes, por po vdes”.

“Djali im ishte atje, ai më tha se ishte mirë, por nuk i besova dhe erdha menjëherë, sepse jetoj këtu. Pastaj pashë gjëra të tmerrshme që kishin ndodhur, pashë trupa. Djali im nuk ka parë asgjë drejtpërdrejtë për shkak se ka qenë shtrirë në tokë” – thanë disa nga dëshmitarët e rastit të sulmit në QT.

Fqinjët e sulmuesit 18-vjeçar thonë se te ai nuk kanë vënë re asgjë të dyshimtë dhe se ai nuk ka qenë një person që ka tërhequr vëmendje.

“Asnjëherë se shihja atë, ai nuk tërhiqte vëmendjen. Kam dëgjuar se shpërndante gazeta. Ai ishte djalë krejtësisht i pavërejtur dhe jam e befasuar se kjo ndodh në lagjen tonë” – u shpreh Çauan Husein, fqinja e sulmuesit.

Banorët e Mynihut sot u mblodhën rreth qendrës Olimpia dhe mbanin lule dhe qirinj duke u bërë nderime viktimave. Ky është sulmi i tretë ndaj civilëve në Evropën perëndimore për 8 ditë. Dy sulmet e mëparshme në Gjermani dhe në Francë u raportua se kanë lidhje me të ashtuquajturin shtetin islamik. (Sanije Duraku, TVM2)