Maqedoni
Rruga Shipkovic-Brodec, Arifi në terren, banorët kërkojnë përshpejtimin e punimeve
25.07.2016 16:03
Në rrugën Shipkovic-Brodec, me gjatësi prej 1700 m, po zhvillohen punimet e fazës së dytë për asfaltimin e saj...

Por, banorët e fshatrave Brodec, Veshallë dhe Bozofcë, të cilët për çdo ditë duhet të lëvizin në këtë rrugë, thonë se faza e dytë e punimeve ka filluar që para dy muajsh, prej kur janë të detyruar të lëvizin në këtë rrugë me gurë dhe pluhur, prandaj kërkojnë përshpejtimin e punimeve.
“Duhet të asfaltohet, duhet të bëhet mirë, por nuk e dimë ku është problemi, ka shumë pluhur, ka gjithçka, na pengon, po s’kemi çka të bëjmë”,- deklaroi një banor.
“Jo çdo ditë, por çdo orë, shikoni çka është bërë, ne duam të asfaltohet, të rregullohet, gjithmonë kështu ka qenë, është dashur më herët, sikur të jetonin maqedonas do ishte bërë deri tani”,- tha një banor.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sot ka inspektuar punimet e kësaj rrugë dhe premtoi se shumë shpejt do të përfundojnë punimet, të cilat, sipas saj, po realizohen sipas të gjitha standardeve dhe sipas dinamikës së paraparë.
“Siç e shihni, tani i ka marrë konturnat e veta. Për mua është e rëndësishme të shihemi me cilin intensitet po punohet, është një intensitet që është solid dhe që flet se do të përparohet mirë në këtë drejtim, ku bëhet fjalë për 1700 m, d.m.th. afër dy km rrugë, e cila do të bëhet sipas standardeve, me të cilën përfundimisht do të kompletohet ky aks rrugor, që ne mendojmë se është shumë i rëndësishëm. Sipas realizuesit, parashikimet janë që brenda një kohe optimale e gjithë kjo të përfundojë”- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Fondet për rregullimin e rrugës Shipkovic-Brodec janë siguruar nga Ministria e Bujqësisë, në kofinancim me Komunën e Tetovës.
Njëherit, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, ka bërë të ditur se prej sot ka filluar edhe pagesa e dëmshpërblimeve për familjet që ishin të prekura nga vërshimet e vitit të kaluar, pas korrigjimit të bërë nga Qeveria e RM-së.
VISAR SADIKI
