Maqedoni
Ademi: sfidat e BE-së, Brexit, Turqia, terrorizmi...
25.07.2016 16:15
Në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane, të organizuar në kuadër të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Europian...

Në mbledhjen joformale të ministrave për çështje evropiane, të organizuar në kuadër të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Europian, në Bratislavë, zëvendëskryeministri Ademi theksoi se pa marrë parasysh sfidat e BE-së, nuk duhet të harrohet politika e zgjerimit, e cila ndoshta edhe duhet parë edhe si pjesë e zgjidhjes.
Ai është ndalur te sfidat me të cilat aktualisht po përballet BE-ja.
“Unë u ndala në sfidat serioze me të cilat po ballafaqohet Bashkimi Europian në momentin e marrjes së kryesimit nga ana e Sllovakisë, siç janë Brexit, ngjarjet në Turqi, kanosjet terroriste ndaj sigurisë dhe mundësia e eskalimit të krizës së migrantëve”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
Sa i përket situatës politike në Maqedoni, ai tha se marrëveshja e arritjes politike ndërmjet partive politike pa dyshim është një hap pozitiv serioz në drejtim të qetësimit të turbulencave politike.
Nga pikëpamja e perspektivave europiane të vendit dhe raportit vjetor, i cili duhet të shpallet nga ana e Komisionit Europian, e një rëndësie tejet të veçantë është që i njëjti të reflektojë zhvillimin pozitiv drejt zgjidhjes përfundimtare të krizës politike dhe ta kthejë kredibilitetin dhe besimin në proces para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Kryesuesi në emër të presidencës sllovake, Ivan Korçak, potencoi se zgjerimi mbetet në fokus të Bashkimit Europian.
Derisa komisari Han ka theksuar se javëve të fundit ka pasur një përparim serioz të proceseve në pothuajse të gjitha vendet e rajonit.
Për Maqedoninë, komisari Han theksoi se lajmet e mira për arritjen e marrëveshjes duhet tani të materializohen përmes implementimit të plotë të marrëveshjes, edhe atë pa prolongim.
Në margjinat e takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, zëvendëskryeministri Ademi realizoi edhe një sërë takimesh joformale me kolegët nga rajoni dhe nga vendet anëtare të BE-së.
REJHANE BUSHI-METAJ
