Turqi, fletëarreste për 42 gazetarë

25.07.2016 17:04

Pas dhjetë ditë nga tentativat e grusht-shtetit në Turqi pasuan arrestime...

Pas dhjetë ditë nga tentativat e grusht-shtetit në Turqi pasuan arrestime për pjesëtarë të forcave policore, ushtarakë, pjesëtarëve të drejtësisë dhe arsimtarë dhe tani është firmosur dhe urdhërndalimi për 42 gazetarë.

Mediat lokale bëjnë të ditur lëshimin e urdhërarresteve për 42 gazetarë si pjesë e hetimeve lidhur me dështimin e tentativës së grusht-shtetit më 15 korrik për të përmbysur presidentin, Rexhep Taip Erdogan.

Mes gazetarëve të përmendur mendohet të jetë dhe komentatori, Nazli Ilicak, i cili në vitin 2013 u shkarkua nga e përditshmja e pro-qeverisë, “Sabah”, sepse kritikoi ministrat e përfshirë në skandal korruptiv.

Prokurori tha se operacioni vijon për arrestimin e gazetarëve dhe se Ilicak nuk është gjetur në banesën e tij në Stamboll.

Autoritetet turke pas dështimit për grusht-shtet kanë pezulluar, arrestuar ose vendosur nën hetime më shumë se 60 000 mijë ushtarë, policë, gjyqtarë, mësues, nëpunësit civilë etj.

Presidenti turk Erdogan akuzon klerikun, Fetullah Gylen, si të dyshuarin e vetëm për tentimin e grusht-shtetit. Në dekretin e tij të parë, Erdogan ka urdhëruar mbylljen e mijëra shkollave private, bamirëse dhe fondacioneve me lidhje të dyshuara me Gylen.

Gjatë zhvillimeve të fundit në Turqi dhe gjendjes së jashtëzakonshme ka reaguar dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ku paralajmëroi Turqinë se do t’i ndalohen negociatat për anëtarësim në BE në qoftë se Ankaraja do të rikthejë dënimin me vdekje. (Gazmend Kurtishi, TVM2)