Zjarr i qëllimshëm në një spital në Tiranë, dy të vdekur dhe dy të lënduar

25.07.2016 17:48

Dy persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar në Spitalin Amerikan Nr.1...

Dy persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar në Spitalin Amerikan Nr.1 në Tiranë, në pajivionin ku bëhet trajtimi i Hemodializës.

Kësaj here shkaqet nuk kanë qenë natyrale për shkak të sëmundjes, por të shkaktuara nga vetë pacientët. Gjithçka ka nisur pas një sherri mes pacientëve me iniciale Lefter C., 57 vjeç, dhe D. Saraçi. 57-vjeçari, Lefter C., pasi është konfliktuar me D. Saraçin, i ka vënë flakën këtij të fundit me benzinë.

Nga ky veprim kanë vdekur dy pacientë të tjerë për shkak të asfiksisë. Autori i zjarrvënies, Lefter C., pasi ka mbaruar dializën, ka shkuar në dhomën e shtetasit, D. S., ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë atë dhe më pas i ka vënë zjarrin.

Të lënduar nga zjarri kanë mbetur dhe dy infermiere të pavionit të Hemodializës, ku njëra prej tyre mësohet se është asfiksuar nga tymi dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se reparti i Hemodializës është djegur pjesërisht, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Në momentin e zjarrit, në pavionin e Hemodializës kanë qenë rreth 25 pacientë, por nuk kanë pësuar dëmtime. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se do të mbikëqyret për sigurinë firma koncesionare. (Luljeta Ndoka, TVM2)