Prishtinë, një iranian akuzohet për financim të dyshimtë

25.07.2016 17:58

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë...

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër shtetasit iranian, H. A. B. për katër vepra penale, përfshi financimin e terrorizmit.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2014 dhe 2015 në xhirollogarinë e OJQ-së “Kur’ani”, drejtor i së cilës është i akuzuari H. A. B., janë deponuar donacione në shuma të ndryshme të parave, për të cilat nuk ka kërkuar lejim të pranimit të tyre nga Njësia për Inteligjencë Financiare, siç kjo kërkohet sipas ligjit.

Po ashtu, në vitin 2014 i njëjti ka raportuar rrejshëm në Njësinë për Inteligjencë Financiare se do të pranojë një donacion nga Kuvajti, e në fakt paratë ishin të deponuara në Kinë.  Prokuroria në aktakuzë ka kërkuar nga Gjykata që të akuzuarin të shpallë fajtor për kryerjen e veprave penale, si dhe të shqiptohet dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, konfiskimi i shumës prej 30.000,00€ si dhe dëbimi nga territori i Republikës së Kosovës. Si rezultat i hetimit të këtij rasti, Ministria e Administratës Publike ka pezulluar veprimtarinë e pesë OJQ-ve: “Kurani”, “Ibni Sina”, “Bregu i Diellit”, “Nisa” dhe “Ehli Bejti”.