KShZ miraton udhëzimet, nesër publikohen emrat e votuesve të kontestueshëm
KShZ miratoi udhëzimet për vërtetimin e votës së 39 mijë votuesve të kontestueshëm....

Anëtarët e KShZ-së njëzëri votuan që nesër në ueb faqen e këtij institucioni të publikojnë emrat e 39 mijë votuesve të kontestueshëm që pas një dite të fillojë edhe verifikimi i tyre. Procedura do të zgjasë 25 ditë. Personat pas ftesës zyrtare do të duhet të paraqiten personalisht ose në zyrat rajonale të KShZ-së, apo komunat nëse jetojnë brenda shtetit.
Personat që veprojnë në diasporë do të regjistrohen për të votuar online.
Aplikacionet do të jenë dygjuhësore. Anëtarët e BDI-së dhe VMRO–DPMNE-së thanë se udhëzimi për vërtetimin e votuesve ka për qëllim të jetë sa më afër votuesve, që ata të regjistrohen duke mos humbur kohë dhe shpenzime në të holla.
“Do të hapen përkohësisht zyra nëpër komunat ku është e nevojshme. Ka mbi 100 votues të cilët kanë nevojë të paraqiten. Do të hapim edhe për ata zyra me qëllim që të jemi afër tyre”,- deklaroi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
“Ne mundohemi që këtë ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundur, t’u afrohemi këtyre qytetarë, të ulim shpenzimet e tyre për udhëtim apo shpenzime të cilat mund të kenë lidhje me regjistrimin e sërishëm të tyre”,- tha anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva.
Bedredin Ibrahimi theksoi se KShZ me punën që po bën dëshmon profesionalizëm.
“Me këtë ne dëshmojnë edhe njëherë se KShZ punon profesionalisht dhe zbaton ligjet. A i pëlqen kjo dikujt apo jo, kjo nuk është problem i yni. Kishim vendim ligjor dhe kemi rezultate, pra kemi 39 mijë persona që do t’i verifikojmë në mënyrë shtesë”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi.
Përkrah thirrjes publike në KShZ, do të realizohet edhe fushatë mediatike në servisin publik. Personat gjatë paraqitjes në zyrat e KShZ-së, përpos aplikacionit, do të duhet të kenë edhe dokumente identifikimi.
Kjo vlen edhe për ata që paraqiten online, të cilët do të duhet të kenë të skenuar dokumentin e identifikimit. (Meral Ismaili, TVM2)
