Maqedoni

Shkup, shënohet 53 vjetori i tërmetit të vitit 1963

26.07.2016 09:21

Shkupi sot shënoi 53¬ vjetorin e tërmetit katastrofal të vitit 1963, në të cilin humbën jetën 1.070 njerëz, ndërsa 3.000 të tjerë u lënduan...

Me këtë rast delegacione zyrtare dhe përfaqësues të institucioneve vendosën lule para përmendores së viktimave nga tërmeti në varrezat e qytetit në Butel. 
 
Pjesë e aktiviteteve të sotme ishte edhe aksioni tradicional i dhurimit të gjakut i Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit dhe ekspozita e fotografive, nga aktivitetet e Kryqit të Kuq të Maqedonisë për krizën e migrantëve. 
 
Tërmeti katastrofal në Shkup ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën 5 e 17 minuta, ndërsa dridhje më të vogla kishte deri në orën 5 e 43 minuta. 
 
Si pasojë e tërmetit u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera, ndërkohë që mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë. 
 
Shkupi asokohe u godit nga tërmeti me fuqi prej nëntë ballëve sipas shkallës së Merkalievit, ose gjashtë ballë sipas shkallës së Rihterit me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. 
 
Organizatat humanitare në shumë vende u përfshinë në mbledhjen e ndihmave për Shkupin, kështu që Shkupi u bë qytet i solidaritet ndërkombëtar. 
 
Më 23 shtator të vitit 1963, 35 vende kërkuan që Asambleja e përgjithshme të vendosë në rend dite të seancës së saj pikën për ndërmarrjen e masave për rastin e tërmetit në Shkup.
 
Në kohën kur ekipet profesioniste nga OKB¬-ja filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e Organizatës ndërkombëtare është thënë se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor.