Mjekët amë realizojnë preventivat për 6 muaj kontrolle për mbi 93 mijë persona
Fondi për Sigurim Shëndetësor ka kumtuar se mjekët amë në përgjithësi e kanë respektuar ligjin...

Fondi për Sigurim Shëndetësor ka kumtuar se mjekët amë në përgjithësi e kanë respektuar ligjin dhe në pajtim me kërkesat për trajtime mjekësore të pacientëve nga mosha 35 deri në 65 vjeç, në 6 mujorin e parë të këtij viti janë realizuar kontrolle dhe sugjerime mjekësore ndaj 93 mijë personave me sigurim shëndetësor.
“Fondi, si obligim për mjekët amë, solli tre qëllime të cilat janë masa parandaluese për zbulim të hershëm dhe në kohë të tre sëmundjeve jongjitëse më të shpeshta: sëmundjet kardiovaskulare, të veshkave dhe të diabetit melitus, si dhe parandalimin sekondar të komplikimeve të mundshme nga këto sëmundje të cilat mjekët duhet t'i realizojnë. Në bazë të kontrolleve te realizuara, tek pacientët janë konstatuar simptome të reja të problemeve kardiovaskulare dhe neurologjike, të cilat më pas dhe janë kategorizuar si të rrezikshmërisë së vogël, të mesme apo të rrezikshmërisë së lartë. Sipas Fondit, këta persona nevojitet t'i ndjekin këshillat e mjekëve, të kenë ushqim më të shëndetshëm dhe aktivitet më të madh fizik”,- deklaroi drejtori i FSShM-së, Orhan Ramadani.
