Pengmarrje në një kishë në Francë, vritet prifti dhe njëri nga pengjet

26.07.2016 16:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Francë, ku dy persona me thikë kanë hyrë në një kishë...

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Francë, ku dy persona me thikë kanë hyrë në një kishë në Saint-Etienne-du-Rouvray, duke marrë kështu  pesë persona peng, një prift, dy murgesha dhe dy besimtarë.

Autoritetet franceze kanë vërtetuar se prifti është prerë në fyt dhe një nga pengjet është vrarë, ndërsa policia pas aksionit ka ekzekutuar dy pengmarrësit. Një peng tjetër është rëndë i lënduar dhe lufton për jetë në spital.

Në momentin e sulmit me thika pengmarrësit kanë përmendur “Shtetin Islamik” dhe dyshohet se kanë pasur probleme mendore.

“Këtë mëngjes dy persona hynë në kishë dhe morën pesë persona peng. Pasi është dëgjuar kambana, menjëherë shërbimet policore kanë dalë në terren, duke e rrethuar kishën. Në një moment pengmarrësit kanë dalë nga kisha, ku edhe janë vrarë nga shërbimet policore”,- deklaroi zëdhënësi i MPB-së franceze.

Në vendngjarje ka dalë edhe presidenti, Francois Hollande, i cili ka thënë se dy pengmarrësit kanë qenë pjesëtarë të organizatës “Shtetit Islamik”, grupi që i ka shpallë luftë shtetit të Francës.

“Ne po përballemi me një nga sfidat më të mëdha, sepse rreziku është në nivel shumë të lartë. Ne po përballemi me një grup ISIS, i cili na ka deklaruar luftë dhe ne duhet ta udhëheqim këtë luftë me të gjitha mjetet tona, duke respektuar ligjin. Kjo është ajo që e bën demokracinë, qëllimi i këtyre terroristëve është që të na ndajnë”,- tha presidenti i Francës, Francois Hollande.

“Shteti Islamik” para do kohe ka bërë thirrje deri tek pjesëtarët e vet që të kryejnë sulme vetëvrasëse neper territorin e Francës.

Kryeministri francez, Manuel Valls, tha se sulmi në kishë është një akt barbar, si dhe ka kërkuar nga e gjithë Franca që të jenë të bashkuar.

Franca ka rritur nivelin e sigurisë pas sulmeve në Nicë më 14 korrik, ku mbetën të vrarë 84 persona. (Gazmend Kurtishi, TVM2)