Zhernovski jep dëshmi në PSP për “Shkupin 2014”
Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, sot dëshmoi para Prokurorisë Speciale....

Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, sot dëshmoi para Prokurorisë Speciale për projektin “Shkupin 2014”.
Ky i fundit në Prokurorinë Speciale ka dorëzuar dy raportet e revizionit, i cili është përgatitur në muajin gushtë, në vitin 2013.
Ai theksoi se këto materiale janë dorëzuar në Gjykatën Themelore, por ka tre vite që nuk ka marrë përgjigje. Sipas Zhernovskit, qytetarët duhet ta dinë të vërtetën për projektin “Shkupin 2014”. Kryeministri, Nikolla Gruevski, para gjashtë viteve tha se do të kushtojë 80 milionë euro, por sipas hulumtimeve del se nga arka e shtetit janë shpenzuar shtatë herë më shumë, që do të thotë 560 milionë euro.
“Më në fund këto raporte të revidimit u gjetën në duar të vërteta dhe kemi të drejtë të gjithë të presim që drejtësia më në fund të vijë në vend dhe kemi të drejtë të presim që e vërteta të dalë në shesh, sepse Maqedonia nuk mund të dalë nga kjo krizë nëse nuk ka epilog juridik për gjithë atë që dëgjuam dhe ajo që është bërë, apo të jem më direkt, nuk ka dalje nga kjo krizë derisa ata që kanë bërë vepra kriminale të përgjigjen”,- deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
Zhernovski tha se tani raportet e auditimit përfundimisht janë në duar të vërteta. Zhernovski nuk deshi të ndajë më shumë detaje nga dhënia e dëshmisë në këtë prokurori, sepse bëhet fjalë për procedurë parahetimore, e cila është e fshehtë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
