Votuesit e dyshimtë, KShZ publikon emrat në ueb faqe

26.07.2016 18:03

KShZ në ueb faqen zyrtare publikoi emrat e 39 mijë e 502 votuesve të kontestueshëm...

KShZ në ueb faqen zyrtare publikoi emrat e 39 mijë e 502 votuesve të kontestueshëm, pjesa më e madhe shqiptarë.

Personat e dyshimtë deri më 19 gusht personalisht do të mund të konfirmojnë të drejtën e votës me aplikacion dhe dokument identifikimi valid, pasaportë apo letërnjoftim në KShZ, njësitë rajonale të komisionit apo zyrat e posaçme nëpër komuna.

Për personat që do të aplikojnë online u prezantua aplikacioni. Gjatë aplikimit online, madje, edhe nga telefonat celularë, fillimisht do të duhet të shkruhet numri amë, kodi verifikues dhe në fund të aplikacionit të vendoset e-mail adresa dhe numri i telefonit. Aplikacionit do të duhet t’i bashkëngjitet dokumenti i skenuar i identifikimit.

“Për hir të informimit më të mirë dhe më adekuat të këtyre 39 mijë e 502 personave, KShZ do t’u drejtohet nëpërmjet postës me letër të gjithë këtyre personave dhe do t’u bëjë thirrje që të njëjtët të paraqiten vetëm e vetëm që ky aktivitet të arrijë në vesh të këtyre personave që të kryhet edhe ky obligim”,- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.

Përgjigjen për kërkesën e shtruar online votuesit do ta marrin në e-mailin e tyre. Anëtarët shqiptarë kërkuan që në rast të parregullsive përgjigja të jetë e menjëhershme.

“Menjëherë nesër do të duhet të kenë përgjigje se gjithçka është në rregull, e jo të presin datën 19 dhe më pas të më thonë se ka problem”,- tha anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.

“Nëse ka vërejtje për të dhëna të paqarta, menjëherë të reagohet, sikurse do të veprohet me personat të cilët do të paraqiten personalisht në njësitë rajonale të KShZ-së”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi.

Krahas thirrjes publike, KShZ fillon edhe me fushatën mediatike në servisin publik. Në listën e personave të dyshimtë janë gjetur edhe emra publik. Nga KShZ arsyetohen se emrat e tyre janë në listë pasi nuk janë përputhur të dhënat e tyre nga kontrollet e kryqëzuara edhe në terren.

Në rast se personat e dyshimtë nuk i përgjigjen thirrjes publike, ata do të shlyhen nga lista zgjedhore. Të drejtën e votës mund ta kthejnë para zgjedhjeve gjatë kontrollit publik.

Nga KShZ ftojnë edhe katër partitë politike të mbikëqyrin procesin 25-ditor. (Meral Ismaili, TVM2)