Debati mbi rebalancin e buxhetit, sërish përplasje VMRO - LSDM
Debati mbi rebalancin e buxhetit, LSDM: Po shkurtohen investimet kapitale; Pushteti: Opozita fajtore për anulimin e investimeve...

Me anë të rebalancit të propozuar po shkurtohen investimet kapitale, të cilat synojnë zhvillim ekonomik, shkurtohen mjete për infrastrukturë, shkolla dhe spitale, akuzojnë nga opozita, sipas të cilëve qeveria po shpenzon para vetëm për projekte joprofitabile, si Rrota Panoramike, vlerëson opozita.
“Tek pjesa e shpenzimeve, ndryshim më të madh ka tek investimet kapitale, ku janë zvogëluar mjetet për 45 milionë euro, ose kemi rënie për 11%, nga ajo që është projektuar, edhe pse gjatë sjelljes së buxhetit ish-ministri Stavrevski këtu mundohej të na bind se ky buxhet është historik për investimet kapitale. Tani shkurtohen mjetet për infrastrukturë, për rrugë, për shkolla e kështu me radhë, shkurtohen mjete edhe në shëndetësi në lartësi prej rreth 10 milionë euro”,- deklaroi Vasko Kovaçevski nga LSDM.
Por, nga pushteti akuzave të këtilla iu përgjigjën duke thënë se realizimi i disa investimeve kapitale është ndalur për shkak të situatës parazgjedhore, ndërsa akuzojnë LSDM-në si fajtore për krizën politike, e cila sipas VMRO-DPMNE ka bërë që të ngadalësohet ose anulohet realizimi i disa investimeve kapitale.
“Dy herë u anuluan zgjedhjet dhe e gjithë kjo në atë periudhën parazgjedhore solli deri tek realizimi i ngadalshëm i investimeve kapitale, të cilat janë më të larta në krahasim me vitin e kaluar për 12.8% dhe bruto investimet e përgjithshme në 2015-ën janë 30% nga BPV në krahasim me vitin 2006, kur ishin 20% nga bruto prodhimi vendor”,- tha Dragan Cuklev nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, ministri i Financave, Kirill Minovski, theksoi se mendimi juridik për euro-obligacionin, siç parashikon procedura për dhënien e euro-obligacionit, është nënshkruar sot nga ana e ministrit të Drejtësisë, ndërsa kërcënoi se do të ngre aktpadi ndaj secilit që pretendon se lëshimi i euroobligacionit nuk është bërë sipas procedurave ligjore.
“Është nënshkruar mendimi i ministrit të Drejtësisë dhe të gjitha dokumentet janë dorëzuar deri tek sindikata e bankave, të cilat janë kompetente për veprimet ligjore. Gjatë 10 ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë spekulime dhe manipulime, të cilat synonin diskreditim të Ministrisë së Financave dhe personalisht unë si ministër dua të potencoj se kundër të gjithë të involvuarve do të ngrihen aktpadi dhe kërkesa për dëmshpërblim”,- theksoi ministri i Financave, Kirill Minovski.
Rebalanci i Buxhetit për vitin 2016 parasheh ulje të të ardhurave të përgjithshme prej 177,292 milionë euro në 174,291 milionë euro të shpenzimeve të përgjithshme prej 196,472 euro në 195, 472 milionë euro, ndërsa deficiti është reviduar prej 18,984 në 21,181 milionë euro. (Ersan Pajaziti, TVM2)
