Moti i keq përfshin rajonin, dy të vdekur nga rrufeja në Serbi
Moti i keq, i shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fuqishme....

Moti i keq, i shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fuqishme, ka shkaktuar vërshime pothuajse në tërë Ballkanin.
Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, në disa rrugë janë rrëzuar pemë, të cilat kanë sjellë edhe bllokimin e rrugëve dhe radhë të gjata të transportit publik. Nga erërat e forta është prishur çatia e një pallati në rrugën Kadillari në kryeqytet. Copat e çatisë kanë rënë në shtëpitë e të tjerëve rreth e rrotull. Nuk ka të dëmtuar.
Edhe Kosova është kapluar nga moti i keq. Prishtina është përfshirë nga një stuhi e madhe shiu, i përcjellë edhe me bubullima dhe vetëtima. Shiu ka filluar të vërshojë rrugët, me ç’rast nga era e fuqishme rrezohen disa shtylla elektrike dhe janë nxjerrë edhe pemë nga toka.
Por, moti i keq ka lënë pasoja më të mëdha në Serbi, ku ka pasur edhe humbje jetësh, pasi dy persona kanë vdekur nga rrufeja. Serbia perëndimore është në përmbytje dhe në kaos total pas motit të keq që e ka kapluar rajonin.
Shiu i fortë, i shoqëruar me stuhi, breshër dhe era, ka bërë që rrugët të ngjajnë në lumenj, duke lënë edhe disa pjesë të qyteteve pa energji elektrike. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
