Turqia arreston gjeneralët në Afganistan
Turqia e ka zgjeruar goditjen pas grusht-shtetit të dështuar, duke i arrestuar gjeneralët e lartë të ushtrisë turke...

Turqia e ka zgjeruar goditjen pas grusht-shtetit të dështuar, duke i arrestuar gjeneralët e lartë të ushtrisë turke, që shërbejnë në kuadër të forcave të NATO-s në Afganistan.
Mediat turke kanë raportuar se gjeneral majori, Mehmet Cahit Bakir, dhe gjenerali i brigadës, Sener Topuc, janë arrestuar nga autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe, të dyshuar se kanë lidhje me përpjekjen për puç më 15 korrik kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Gjeneral Bakiri është komandant i task forcës turke të NATO-s në Afganistan, ndërsa Topuc ishte shef i Departamentit të emërimeve për Forcat tokësore turke.
Agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”, ka raportuar se arrestimi i tyre ishte rezultat i bashkëpunimit ndërmjet inteligjencës së Turqisë dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një zëdhënës i NATO-s në Afganistan tha dje se “kontingjenti i Turqisë e vazhdon misionin”, pa bërë komentime të mëtejshme.
