ShBA, gruaja e parë e nominuar për presidente
Demokratja, Hillary Clinton, është bërë gruaja e parë në historinë e ShBA-ve që është nominuar për presidente nga ndonjë prej partive në këtë vend...

Ish-sekretarja e Shtetit e arriti këtë pasi u numëruan të gjitha votat e delegatëve të 50 shteteve në Konventën e Demokratëve.
Në shenjë uniteti, ish-rivali i saj brenda partisë, senatori Bernie Sanders, pasi u dëgjuan votat e 2382 delegatëve, mori mikrofonin dhe kërkoi që të pezulloheshin procedurat e mëtejshme, duke e deklaruar ish-zonjën e parë si të nominuarën e demokratëve.
Nominimi i Hillary Clinton u bë pas një dite me tensione në Konventën e Demokratëve, ku mbështetësit e Sanders e vërshëllyen ish-sekretaren, ndërsa kërkuan që i preferuari i tyre të jetë i nominuari i demokratëve.
Konventa i filloi punimet mes një skandali, që detyroi kryetaren e partisë të jepte dorëheqjen, si dhe në akuza për përfshirje të shërbimeve sekrete ruse në vjedhjen e e-maileve të partisë që u bënë publike nga Wikileaks.
