Maqedoni
Pastrimi i regjistrit zgjedhor, rrjedh afati për regjistrimin e 39502 votuesve
27.07.2016 14:05
Duke filluar nga dita e martë, ka filluar të rrjedhë afati për paraqitjen e 39 mijë e 502 qytetarëve të cilët deri më 19 gusht...

Duke filluar nga dita e martë, ka filluar të rrjedhë afati për paraqitjen e 39 mijë e 502 qytetarëve të cilët deri më 19 gusht duhet të konfirmojnë të drejtën e tyre të votës.
Qytetarët, të cilët janë vendosur në këtë listë dhe të cilët dëshirojnë të ruajnë të drejtën për votim, duhet që personalisht të paraqiten me një nga dokumentet personale, letërnjoftim ose pasaportë valide, në zyrat e njësive rajonale të KShZ-së, apo të njëjtën mund ta bëjnë në formë elektronike në ueb faqen e këtij institucioni.
“Ky proces i verifikimit do të rrjedhë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të paraqiten personalisht në KShZ, në zyrat rajonale të KShZ-së, dhe në zyrat plotësuese të cilat do të vendosen në selitë e njësive të vetëqeverisjes lokale. Po ashtu, qytetarët do të mund të paraqiten edhe në mënyrë elektronike nëpërmjet aplikacionit i cili është në faqen oficiale të KShZ-së”,- deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
KShZ ka nisur edhe njoftim me shkrim në adresat e regjistruara të çdo personi i cili ndodhet në këtë listë, sqaron nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
Ndërsa përveç këtij afati, ata mund të paraqiten edhe gjatë publikimit të regjistrit zgjedhor në shqyrtim publik pas shpalljes së zgjedhjeve.
“Iu kemi drejtuar shkresë në adresë personale secilit nga këto 39502 personave. Kur të shpallen zgjedhjet, ne jemi të obliguar që të shpallim listën zgjedhore në shqyrtim publik, i cili do të zgjatë 10 ditë, dhe këta qytetarë kanë të drejtë dhe mundësi të paraqiten edhe brenda atyre 10 ditëve”,- tha nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
Regjistrimi i këtyre personave do të zgjasë deri më 19 gusht, ndërsa mund të bëhet çdo ditë prej orës 8:30 deri në orën 19:00.
KShZ ka hapur edhe 18 zyra plotësuese në gjithë territorin e Maqedonisë, përkatësisht në të gjitha vendbanimet ku janë regjistruar më shumë se 100 persona në këtë listë.
Sipas të dhënave, në njësinë e parë zgjedhore duhet të paraqiten 11 mijë e 212 persona, në njësinë e dytë 10 mijë e 551 persona, në njësinë e tretë 1 mijë e 612 persona, në njësinë e katërt 1 mijë 451 persona, në njësinë e pestë 3 mijë e 538 persona dhe në njësinë e gjashtë zgjedhore 11 mijë e 138 persona.
NAIM RAMADANI
