Botë

ShBA, Clinton gruaja e parë e nominuar për presidente

27.07.2016 14:24

Demokratja, Hillary Clinton, është bërë gruaja e parë në historinë e ShBA-ve që është nominuar për presidente nga ndonjë prej partive në këtë vend...

Ish-sekretarja e Shtetit e arriti këtë pasi u numëruan të gjitha votat e delegatëve të 50 shteteve në Konventën e Demokratëve.
 
Në shenjë uniteti, ish-rivali i saj brenda partisë, senatori Bernie Sanders, pasi u dëgjuan votat e 2382 delegatëve, mori mikrofonin dhe kërkoi që të pezulloheshin procedurat e mëtejshme, duke e deklaruar ish-zonjën e parë si të nominuarën e demokratëve. 
 
“Ta mposhtim Donald Trumpin duke votuar Hillary Clinton. Është lehtë të ulërini duke shprehur pakënaqësinë, por do të jetë shumë e vështirë të shikoni në sytë e fëmijëve tuaj të cilët do të rriten në kryesimin e Donald Trumpit”,- deklaroi ish-kandidati demokrat për president, Bernie Sanders. 
 
Nominimi i Hillary Clinton u bë pas një dite me tensione në konventën e demokratëve, ku mbështetësit e Sanders e vërshëllyen, ndërsa kërkuan që i preferuari i tyre të jetë i nominuari i demokratëve.
 
Hillary Clinton u shfaq nga Nju Jorku natën pas përzgjedhjes së saj si femra e parë e nominuar për presidente në ekranin ku ishin shfaqur më parë të nominuarit e tjerë.
 
Ajo adresoi edhe një mesazh për të gjitha vajzat e vogla të cilat ishin zgjuar në atë kohë, se krahas faktit që ajo do të jetë femra e parë dhe çdonjëra nga ato mund ta pasojë. 
 
"Jam shumë e lumtur që më dhuruat një ditë dhe natë të madhe. Është një nder i jashtëzakonshëm që më keni dhuruar. Unë besoj se ne sapo thyem një tavan qelqi tani, duke iu falënderuar ju dhe të gjithë atyre që luftuan fort ta mundësojnë këtë. Kjo është fitorja juaj”,- tha demokratja, Hillary Clinton.
 
Konventa i filloi punimet mes një skandali që detyroi kryetaren e partisë të jepte dorëheqjen, si dhe në akuza për përfshirje të shërbimeve sekrete ruse në vjedhjen e e-maileve të partisë që u bënë publike nga Wikileaks.
 
LEUNORA KALIQI