Siri, 44 kurdë humbin jetën nga shpërthime kamikaze
Një kamion-bombë, që është hedhur në erë pranë selisë së shërbimeve të sigurisë në qytetin Qamishli, afër kufirit të Sirisë me Turqinë...

Një kamion-bombë, që është hedhur në erë pranë selisë së shërbimeve të sigurisë në qytetin Qamishli, afër kufirit të Sirisë me Turqinë, i dominuar prej kurdëve, ka lënë të vdekur 44 persona.
Observatori sirian për të drejta të njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se me këtë sulm është goditur selia e administratës kurde në provincën Hasakeh, ku gjendet edhe qyteti Qamishli.
Sulmin e ka marrë përsipër i ashtuquajturi “Shtet Islamik”, ngjarje e cila ndodh pranë kufijve me Turqinë, ndërkohë që grupi xhihadist ka ndërmarrë së fundi disa sulme ndaj kurdëve në këtë zonë.
Vitin e kaluar, aleanca e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por e udhëhequr prej luftëtarëve kurdë, Forcat Demokratike Siriane (SDF) nisën një ofensivë të tyren kundër “Shtetit Islamik” në Hassakeh.
Pamjet televizive tregojnë skenën makabre të pas shpërthimit të bombave, ku duket qartë shkatërrimi masiv i zonës dhe re të dendura tymi në ajër.
Në median e saj “Amaq”, ISIS ka njoftuar se kamikazi që shpërtheu veten dhe kamionin bombë në qendër të qytetit të kurdëve ishte pjesë e tij.
Edhe pse sulmi u raportua fillimisht si një shpërthim i dyfishtë bombash, mësohet se si pasojë e shpërthimit të parë ka pasur edhe shpërthim të një bombole gazi, sipas asaj që bën të ditur AFP.
LEUNORA KALIQI
