Spastrime të reja në Turqi, fletëarrest edhe për 47 gazetarë të “Zamanit”

27.07.2016 15:48

Autoritetet turke kanë lëshuar këtë të mërkurë mandate arreste për 47 ish-drejtues apo gazetarë....

Autoritetet turke kanë lëshuar këtë të mërkurë mandate arreste për 47 ish-drejtues apo gazetarë të njohur të gazetës “Zaman”, të cilët akuzohen si të lidhur me klerikun mysliman që jeton në ShBA, që konsiderohet prej Erdoganit si personi që fshihet pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik në Turqi.

Më herët, gjatë kësaj jave, udhërarreste janë lëshuar edhe ndaj 42 gazetarëve të tjerë, prej të cilëve 16 janë çuar në paraburgim, ku janë marrë në pyetje.

Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara dhe drejton një rrjet global shkollash dhe fondacionesh, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për organizim të grushtit të shtetit, madje thotë se as nuk ka pasur dijeni për të.

Arrestimi i gazetarëve dhe spastrimet në shkallë të gjerë të zyrtarëve turq kanë shtuar shqetësimet mbi një “gjueti shtrigash” pas asaj tentative të dështuar për grusht-shtet, si pasojë e të cilës humbën jetën 290 njerëz.