Debati mbi propozim rebalancin e buxhetit
Debati mbi propozim rebalancin e buxhetit, LSDM: Po shkurtohen mjete për nevojat elementare; VMRO: Rebalanci është i qëndrueshëm; PDSh: Rebalanci, diskriminues për shqiptarët...

Debati për propozim rebalancin e buxhetit, edhe këtë herë e shoqëruan akuza dhe kundërakuza në mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
LSDM edhe njëherë përsëriti qëndrimin për tërheqjen e këtij rebalanc buxheti, teksa akuzuan qeverinë se pushteti po shkurton mjetet të cilat janë të parapara për nevojat elementare të njeriut, si për shkolla, spitale dhe infrastrukturë, ndërsa po shpenzon në projekte joprofitabile, të cilat, sipas LSDM –së, do ta dëmtojnë ekonominë e Maqedonisë. Ndërsa nga VMRO dolën me kundërpërgjigje që LSDM është e vetmja e keqe që i bëhet ekonomisë së vendit, duke iu ikur zgjedhjeve, ndërsa në lidhje me propozim rebalancin e buxhetit theksuan se me këtë rebalanc do të mbahet stabiliteti fiskal.
“Kjo qeveri shkurton mjete për ndërtimin dhe rekonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme për 400 mijë euro. Kjo qeveri zvogëlon mjete për ndërtimin e ujësjellësve, kanalizimeve për 390 mijë euro. Gjithashtu shkurton 23 milionë euro vetëm për infrastrukturën hekurudhore”,- tha Juliana Siljanovska nga LSDM.
“Rebalancit të cilin e shqyrtojmë këto ditë është në drejtim të mbajtjes së stabilitetit makroekonomik në Maqedoni, si dhe në drejtim të plotësimit të qëllimeve të vendosura për politikën fiskale të vitit 2016. Duhet të theksohet se me rebalancin e propozuar, Maqedonia edhe më tej do të mbetet në zonën e stabilitetit fiskal”,- deklaroi Jasminka Dançevska nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, nga partia opozitare shqiptare edhe një herë përsëritën qëndrimin se propozim rebalanci i buxhetit është diskriminues për shqiptarët. Nga PDSh akuzojnë BDI-në se po lejon që buxheti të përdoret për projekte monoetnike maqedonase.
“PDSh gjatë seancave në komisionet për buxhet dhe financa, shtatë ditë me radhë, përmes 321 amendamenteve, si dhe në seancën plenare në mënyrë të detajuar faktoi diskriminimin që iu bëhej shqiptarëve, duke paraqitur në të njëjtën kohë edhe nevojat e vërteta për realizimin e projekteve në vendbanimet shqiptare, por për fat të keq BDI refuzoi 3231 amendamentet e PDSh-së, që kishin të bëjnë me projekte për kushte elementare për jetesë, projekte që duhej të realizoheshin nga paratë e vet shqiptarëve”,- theksoi GAZMEND ALIU nga PDSh.
Me rebalancin e buxhetit parashikohet shkurtim i të ardhurave të përgjithshme për 49 milionë euro dhe të shpenzimeve për 13 milionë euro. Deficiti buxhetor do të rritet për 36 milionë euro, kurse investimet kapitale do të shkurtohen nga 412 në 367 milionë euro. (Ersan Pajaziti, TVM2)
