Lëvizja “Besa” nuk e pranon pastrimin e listës zgjedhore
Pas publikimit të listës nga ana e KShZ-së për paraqitjen e 39 502 votuesve....

Pas publikimit të listës nga ana e KShZ-së për paraqitjen e 39 502 votuesve për ta konfirmuar të drejtën e tyre për votim, ka reaguar Lëvizja “Besa”, e cila akuzon KShZ-në dhe partitë në pushtet për shkelje flagrante të të drejtave themelore, njerëzore, kushtetuese dhe politike të qytetarëve në Maqedoni.
“Faktin që vetëm dje janë paraqitur qindra njerëz që kanë dëshmuar se ata kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe se kurrë nuk kanë qenë në mërgim, flet se metodologjia e KShZ-së për pastrimin e listës zgjedhore ka dështuar”,- deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Blerim Sejdiu.
Për Lëvizjen “Besa” shqetësues është fakti se shumica e votuesve, të cilët duhet ta konfirmojnë edhe një herë të drejtën e tyre për votim, edhe pse janë kualifikuar si mërgimtarë, ata shumë vite as që kanë dalë jashtë kufijve të vendit. Lëvizja “Besa” pyet direkt Lidhjen Socialdemokrate se ku mbetën 200 mijë votuesit fantom për të cilët trumbetoi një kohë të gjatë.
“Ku u tretën 200 mijë votuesit fantom për të cilët fliste ajo dhe athua vallë ajo i humbi zgjedhjet për shkak të këtyre 40 mijë votuesve shqiptarë që sot fshihen nga lista zgjedhore”,- tha zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Blerim Sejdiu.
Lëvizja “Besa” deklaroi se në Maqedoni po “gatuhet” një mashtrim i ri zgjedhor, prandaj duke parë këtë gjendje është duke e shqyrtuar seriozisht bojkotin e këtyre zgjedhjeve. (Gazmend Rexhepi , TVM2)
