Implementimi i marrëveshjes, partitë hapërojnë drejt zgjedhjeve

27.07.2016 17:34

Marrëveshja e arritur midis përfaqësuesve të grupeve të punës për ndryshimet në ligjet për mediat...

Marrëveshja e arritur midis përfaqësuesve të grupeve të punës për ndryshimet në ligjet për mediat, qeverinë kalimtare dhe MPB-në, pritet deri të premten të votohet në parlament. Më pas institucionet do të duhet të zbatojnë marrëveshjen.

Partitë politike nuk presin që ndryshimet ligjore të hasin në pengesa, pasi që burojnë nga marrëveshja e 20 korrikut. Por, analisti politik, Hasan Jashari, shprehet skeptik, duke pasur parasysh praktikat e deritanishme.

Sipas Hasanit, tjetër gjë është që të merren vesh dhe tjetër çështje mjaft e komplikuar është zbatimi në praktikë. Analisti Hasani thotë se Maqedonia përfundimisht duhet të shkojë në zgjedhje.

“Praktika e deritanishme shoqërore ka treguar se pikërisht zbatimi është një pikë e dobët e këtyre liderëve politik, e këtyre partive, dhe mendoj se do të ketë obstruksione, sepse kjo katërshe është e ushtruar mirë, që të bëjë obstruksione, sidomos dy partitë të cilat janë në pushtet, por definitivisht mendoj se të gjithë janë lodhur nga kjo situatë dhe kjo mënyrë e vazhdimit të bisedave deri në skajshmëri është tepruar dhe përfundimisht duhet të ketë zgjedhje”,- deklaroi analisti politik, Hasan Jashari.

Vlerësimin përfundimtar për plotësimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor do të duhet ta thonë katër liderët, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës në takimin e 31 gushtit.

Ndryshimet në Ligjin për mediat parashikojnë formimin e një trupi rregullator pesëanëtarësh, i cili do të mbikëqyrë punën e mediave 100 ditë para zgjedhjeve. Në të njëjtin afat kohor thuhet të formohet qeveria teknike, ndërkaq ministrat e LSDM-së të dorëhiqen menjëherë pas shpalljes së rezultatit zgjedhor.

Ministrit të brendshëm i jepet mundësia të ndërrojë 15 persona në poste drejtuese të MPB-së. (Meral Ismaili, TVM2)