Shqipëri, reformat në drejtësi ShBA-të dhe BE kërkojnë “vettingun”

27.07.2016 19:56

Politika shqiptare tash më është vënë në punë me urgjencë....

Politika shqiptare tash më është vënë në punë me urgjencë për të miratuar sa më shpejt projektligjin e “vettingut”, një nga shtatë ligjet që përbëjnë paketën e Reformës në drejtësi.

Dhe sërish janë ndërkombëtarët që mendojnë se ligjvënësit shqiptarë nuk duhet të pushojnë pa miratuar edhe ligjin më të rëndësishëm të reformës, atë të kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Drafti i ripunuar pas ndryshimeve kushtetuese i është dërguar anëtarëve të Komisionit të posaçëm të Reformës në drejtësi, me qëllim që të kalojë në Kuvend sa më shpejtë. Kryetari i këtij Komisioni, Fatmir Xhafaj, tha se u ka dërguar të gjithë anëtarëve të tij draftin me ndryshimet, së bashku me thirrjen për mbledhjen e Komisionit për t’i aprovuar ato. Sipas tij, askush nuk duhet të thotë se nuk ka pasur kohë ta studiojë.

Por, ndërkohë, opozita ka bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për ta shqyrtuar draftin dhe pas kësaj do të ketë një qëndrim. Këto mesa duket janë shenjat e një përplasjeje të re politike, edhe pasi reforma në vetvete u miratua në seancën maratonë të 21 dhe 22 korrikut.

Dhe këtë e përforcon edhe një deklaratë e LSI-së, e cila njoftoi se kryetari i saj, Ilir Meta, ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer me urgjencë në Tiranë, për të sqaruar - sipas tij, - konfuzionin e krijuar ditët e fundit, që ka për qëllim prishjen e konsensusit parlamentar që u arrit më 21 korrik.