KShZ: Procesi po zhvillohet pa probleme, ftohen qytetarët të paraqiten

28.07.2016 15:03

Komisioni Shtetrorë i Zgjedhjeve ka ftuar sërish të gjithë qytetarët...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka ftuar sërish të gjithë qytetarët, të cilët ndodhen në listën e kontestuar, të paraqiten dhe të shfrytëzojnë njërën nga mundësitë për të verifikuar të dhënat e tyre me qëllim që të sigurojnë të drejtën e tyre të votës. 

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre të cilët ndodhen në listën e 39502 peronave, ta shfrytëzojnë mundësinë që të shikojnë këtë listë dhe eventualisht po që se gjenden ta shfrytëzojnë njërën prej tre mundësive që i ofron KShZ, të paraqiten për t’i verifikuar të dhënat e tyre në listën zgjedhore, me çka do ta sigurojnë edhe të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.

Nga KShZ njoftojnë se deri më tani nuk janë paraqitur probleme të theksuara dhe se në aspektin teknik procesi po zhvillohet sipas planifikimit tekniko-organizativ.

Për probleme nuk janë ankuar edhe zyrat e KShZ-së nëpër komuna. Ndonëse ka paraqitje të qytetarëve, por interesimi i tyre është i vogël, thonë ata.

“Ne jemi në shërbim të qytetarëve, të cilët duhet të vijnë dhe të bëjnë kontrollet për listën shtesë, e cila është e kontestueshme. Deri tani është gjithçka në rregull, zyra është e hapur prej në orës 8:30 deri më 19:00. Deri tani ka interesim nga qytetarët dhe ne mundohemi të jemi në shërbim të qytetarëve”,- tha Agron Mexhiti nga KShZ-Njësia në Çair.

“Procesi po vijon shumë dobët. Një numër shumë i vogël po paraqitet, nuk është interesimi i madh. Zyra është e hapur prej në orës 8:30 deri më 19:00. Presim nga populli që prej në orës 8:30 deri më 19:00 të paraqitet”,- theksoi Rexhep Megashi nga KShZ-Njësia në Shuto Orizare.

Qytetarët, të cilët ndodhen në listën e 39 502 votuesve të kontestuar, të drejtën e tyre të votës duhet ta konfirmojnë deri më 19 gusht. Në të kundërtën, do të humbin të drejtën për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. (Naim Ramadani, TVM2)