Reforma në drejtësi, vazhdojnë përplasjet mes Ramës dhe Bashës
Pas 22 korrikut, ditës kur u miratua unanimisht reforma në drejtësi...

Pas 22 korrikut, ditës kur u miratua unanimisht reforma në drejtësi, politika shqiptare duket se është kthyer në pikën zero.
Koalicioni PS-LSI po shfaq probleme, e paralelisht po vihet re një afrim i Ilir Metës me Lulzim Bashën e Partisë Demokratike.
Kryeministri, Edi Rama, foli dje për prishjen e konsensusit të reformës. Ilir Meta, i alarmuar, ndërpreu vizitën zyrtare në Amerikë për të sqaruar konfuzionin, ndërsa lideri demokrat, Lulzim Basha, tha sot se Rama po përpiqet të shpikë konflikte e prishje konsensusi. “7 ligjet, ndër të cilat edhe vetingu, miratohen vetëm pasi të hyjnë në fuqi, pra më 11 gusht”,- tha kreu i Opozitës, Lulzim Basha, i cili duket i vendosur për të mos thyer afatet kushtetuese. Të njëjtën gjë pohon edhe Meta, i cili duket i gatshëm për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme më 11 gusht.
Ndërkohë, ambasadorët e ShBA-BE përgëzojnë Bashën për qëndrimin e tij pro afateve kushtetuese.
Ende nuk dihet se si do të veprohet me 7 ligjet e reformës në drejtësi, dhe as reagimi që do të ketë kreu i kuvendit, dhe as nëse do të kemi një koalicion të ri mes PD-së dhe LSI-së, por një gjë është e sigurt, miratimi i reformës në drejtësi ka shkaktuar shumë tensione dhe frikë për fatin që do të kenë politikanët pas implementimit të reformës në drejtësi. (Luljeta Ndoka, TVM2)
