Pyetje deputetësh në Kuvend, PDSh: Sistemi i drejtësisë nuk po funksionon
Drejtësia në Maqedoni nuk funksionon në mënyrë profesionale....

Drejtësia në Maqedoni nuk funksionon në mënyrë profesionale, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët.
Ata janë pjesë e pafajshme e burgjeve, maltretimeve dhe torturave të ndryshme për akuza të pabaza. Kështu e akuzoi deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu, pushtetin aktual mbi mosfunksionimin e pushtetit gjyqësor në seancën “pyetje deputetësh”.
Ai, mes tjerash, kritikoi edhe rishikimin e buxhetit, Ministrinë e Arsimit për mosunifikimin e abetares dhe mostërheqjen e teksteve ofenduese shkollore, si dhe në anën tjetër mungesën e investimeve në vendbanimet shqiptare.
“Ka kohë që drejtësia në Maqedoni po kthehet në padrejtësi. Këtë nuk e them vetëm unë, e thonë ndërkombëtarët, e provojnë shqiptarët përditë në kurriz të tyre. Shqiptarët vetëm para disa ditëve panë se si vrasësit lirohen. Çfarë dëgjojmë nga ministrat e drejtësisë për këto raste? Nga gjithë ministrat e drejtësisë kemi dëgjuar hipokrizi, ligësi, cinizëm dhe tallje”,- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
Tomisllav Tuntev nga LSDM pyeti kryeministrin, Emil Dimitriev, nëse ka qenë në dijeni për skemën e përgatitur nga ish-kryeministri Gruevski dhe ish-drejtori i DSK–së, Mijallkov, për marrjen ose zhdukjen e Kompanisë MAK PETROL dhe të Televizionit Telma, ndërkaq kryeministri Dimitriev dha këtë përgjigje: “Qeveria dhe institucionet shtetërore, në atë pjesë ku ka përgjegjësi do të përgjigjet në mënyrë profesionale, ngaqë bëhet fjalë për kompani private. Gjithçka do të bëhet në bazë të ligjit”.
Dimitriev u përgjigj edhe në pyetjen e deputetit Danev mbi punësimet nëpërmjet projekteve qeveritare, me ç’rast tha se në vitin 2016 papunësia është ulur në 24,5%, derisa në vitin 2006 papunësia ka qenë 38%.
Sipas tij, në kohë krize ekonomike botërore, në Maqedoni nuk kanë munguar as projektet e ndryshme ekonomike dhe sociale. (Nermin Mulaki, TVM2)
