Procesi gjyqësor në rastin “Kumanova”, ndihmë mjekësore në Gjykatë për Sefdail Miftarin
Seanca gjyqësore për rastin “Lagja e trimave” sërish u shoqërua me veturë të ndihmës...

Seanca gjyqësore për rastin “Lagja e trimave” sërish u shoqërua me veturë të ndihmës së shpejtë para Gjykatës Penale.
Kësaj radhe intervenimi mjekësor ka qenë i nevojshëm për të pandehurin, Sefdail Miftari, i cili në fillim të seancës gjyqësore është ankuar për lëndime të rënda trupore. Sipas palës mbrojtëse, mjeku i burgut të Shkupit ka dërguar dokumentacion në gjykatë se lëndimet janë të vjetra, por ekipi i ndihmës së shpejt pohon të kundërtën.
“1:30 min mjekët e ndihmës së shpejtë e kanë trajtuar këtë të akuzuar dhe u konstatua që nuk ka asgjë të thyer, por ka lëndime tek të dy këmbët. Dokumentacioni i mjekut të burgut ishte për lëndim të vjetër, unë atë dokumentacion e pashë, Gjykata ende pa e kërkuar unë e kishte pranuar nga burgu i Shkupit, por ky konstatim është si rezultat i deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, i cili tha se nuk ka lëndime dhe se janë spekulime. Mendoj që mjeku i burgut ka qenë nën ndikim të deklaratës, prandaj ka shënuar lëndime të vjetra. Sot u konstatua se lëndimet janë prej 22 korrikut dhe u trajtua në 1:30 prej mjekëve të ndihmës së shpejt”,- deklaroi avokati, Naser Raufi.
Raufi thotë se të akuzuarit ankohen më së shumti gjatë seancave gjyqësore, pasi keqtrajtohen nga Njësiti special policor.
“Çdoherë keqtrajtohen dhe përdoret dhuna te ata që reagojnë. Jam i sigurt se arsyeja për keqtrajtimin e Sevdail Miftarit është dëshmitari i koduar dhe reagimi i Sefdail Miftarit ndaj përgjigjeve të tij. Për arsye se në seancën e kaluar vetëm S. M. u keqtrajtua dhe në seancat e kaluara ka ndodhur gjithmonë që ata që reagojnë ose ankohen për diçka ata keqtrajtohen”,- tha Raufi.
Seanca e radhës është caktuar për më 6 shtator, sërish me dëshmitarë të mbrojtur. (Sanije Duraku, TVM2)
