KRRE: Ulen çmimet e ngrohjes qendrore

28.07.2016 17:53

Rënia e çmimit të gazit natyror në mënyrë drastike dhe harxhimet e zvogëluara...

Rënia e çmimit të gazit natyror në mënyrë drastike dhe harxhimet e zvogëluara operative të kompanive ishin shkaqet kyçe për lirimin e ngrohjes qendrore nga ana e Komisionit rregullator për energjetikë.

Sipas llogarive, me zvogëlimin e tanishëm të çmimit, llogaritë për ngrohje qendrore për një banesë prej 50 metra katrorë janë 20.815 denarë në nivel vjetor, në vend të 23.638 denarë. Shfrytëzuesit e ç’kyçur në vend të 546 denarëve do të paguajnë 532 denarë të ngrohjes qendrore, që do të thotë për 2,67 % do të paguajnë fatura më të ulëta.

“Çmimet përfundimtare për të gjithë shfrytëzuesit të cilët furnizohen me ngrohje qendrore nga Ballkan Enerxhi Grup do të kenë zvogëlim të çmimit tek amvisëritë për 10.93%, të Shkup-Veri për 4%, të ELEM shfrytëzuesit të cilët kanë matës për 11,59%, ndërsa te ata që paguajnë për një metër katrorë për 9,5%”,- deklaroi kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë, Dimitar Petrov.

Kryetari i KRRE-së informoi se barazimi i llogarive më nuk do të jetë dy herë në vit, por vetëm një herë në maj, qershor dhe korrik. Sa i përket ngrohjes qendrore, distributori më i madh është BEG, i cili ofron ngrohje qendrore për 46 mijë shfrytëzues, pastaj vjen ELEM për 3500 dhe Shkup-Veri për 300 konsumatorë.

Deri në fund të vitit, siç informon Petrov, pritet 60 shfrytëzues të ç’kyçen përsëri në rrjetin distrubutiv. Në vitin 2015, gjithsej 842 shfrytëzues të ç’kyçur janë kthyer, ndërsa këtë vit pritet që ky numër të rritet në 900. (Gazmend Kurtishi, TVM2)