Turqi, vazhdojnë arrestimet, mbyllen disa media
Pas 13 ditë nga tentativat për grusht-shtet në Turqi, kanë pasuar arrestime...

Pas 13 ditë nga tentativat për grusht-shtet në Turqi, kanë pasuar arrestime për shumë pjesëtarë të forcave policore, ushtarake, pjesëtarë të drejtësisë dhe arsimtarë, ndërkohë sot autoritetet turke njoftuan për mbylljen e organizatave mediatike.
Autoritetet njoftuan për mbylljen e tre agjenci lajmesh, 16 televizione, 45 gazeta dhe 15 revista, dhe 13 radio-stacione. Mbylljen e organizatave mediake e bëri publike Gazeta qeveritare në Turqi “Resmi Gazete”.
Zyrtarisht nuk është njoftuar për ndonjë emër konkret të organizatës mediatike, por supozohen të jenë relativisht të vogla dhe provinciale, si dhe agjenci me audiencë kombëtare. Sot gjithashtu Qeveria turke ka shkarkuar nga puna 88 punonjës të Ministrisë së Jashtme me po të njëjtën akuzë, përkrahës të imamit Fetullah Gylen.
Që nga dita e 15 korrikut nga tentative për grusht-shtet, Qeveria turke ka arrestuar më shumë se 15 mijë njerëz. Presidenti turk, Rexhepi Tajjip Erdogan, ka premtuar se do t’i pastrojë të gjitha institucionet e vendit nga ajo që ai i cilëson si virusi përgjegjës për grusht-shtet.
Ai ka nisur një valë të madhe masash të rrepta, duke arrestuar mijëra pjesëtarë të personelit të shërbimit, shkarkimin ose pezullimin e mijëra gjyqtarëve, zyrtarëve qeveritarë, mësues, akademikë dhe drejtues të universiteteve.
Madje, autoritetet turke u kanë kërkuar edhe vendeve të rajonit, si Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës, të marrin masa kundër përkrahësve të klerikut, Fetulla Gylen, përfshirë edhe mbylljen e disa shkollave.
Madje, nga autoritetet e Kosovës u kërkua edhe dënimi i gazetarit, Berat Buzhala, për shkak të komenteve të tij në rrjetet sociale, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Autoritetet e vendit nuk kanë njoftuar për ndonjë kërkesë të ngjashme nga autoritetet turke. Ndërsa për nesër në Shkup nga Organizata joqeveritare “Matusiteb”, përkrahëse e presidentit turk Erdogan, është thirrur një tubim në përkrahje të demokracisë në Turqi. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
