“Fortesa” promovoi projektin “Ritet e dasmës kërçovare”
“Dasma sipas traditës shqiptare të Kërçovës”....

“Dasma sipas traditës shqiptare të Kërçovës” është projekti më i ri që Shoqata “Fortesa” e ka realizuar gjatë muajit të kaluar në oborrin e dy shtëpive të vjetra në fshatin Greshnicë.
Nga ky aktivitet është ndërtuar dokumentari “Ritet e dasmës kërçovare”, që pasqyron ritet e fejesës dhe ato të martesës, të cilat janë shumë specifike dhe të dallueshme nga trevat tjera.
Karroca e nuses prej druri, e mbuluar me qilima, këngët lirike, veshja tradicionale e grave dhe e burrave, vallet dhe këngët e melosit burimor janë disa nga pjesët kryesore të mozaikut që e përbën dasmën shqiptare të Kërçovës, tha përfaqësuesi i Shoqatës “Fortesa”, veterani i arsimit, Mehmet Mehmedi.
Dokumentari “Ritet e dasmës kërçovare, është një projekt i rëndësishëm dhe ai do t’i shërbejë ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të çmueshme të trashëgimisë tonë kulturore. Ky projekt i Shoqatës “Fortesa” është një kontribut i veçantë, sidomos për gjeneratat e reja, të cilat do të njihen me doket, zakonet dhe traditat e trevës së Kërçovës, potencuoi prof. dr. Avzi Mustafa dhe dr. Ilmi Veliu.
“Projekti “Ritet e dasmës kërçovare” është financuar nga Komuna e Kërçovës dhe Ministria e Kulturës, ndërsa qëllimi i këtij dokumentari është njohja dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe ai do të transmetohet në televizionet e vendit, dhe ato të Shqipërisë dhe Kosovës”,- tha dr. Ilmi Veliu. (Shabani Dalipi, TVM2)
