Britania frenon centralin bërthamor

29.07.2016 15:10

Planet për të ndërtuar centralin e parë bërthamor britanik pas 20 vitesh...

Planet për të ndërtuar centralin e parë bërthamor britanik pas 20 vitesh pësuan një ndalesë të papritur, pasi Qeveria britanike shtyu vendimin final për në vjeshtë.

Kritikët e projektit thonë se ai do të dëmtojë ambientin dhe paraqet rrezik që të kapërcejë kostot e parashikuara me disa miliarda të tjerë.

Ata janë gjithashtu të shqetësuar se centrali bërthamor po ndërtohet nga qeveri të huaja, pasi një e treta e vlerës është siguruar nga investitorë kinezë. Kompania franceze EDF shpreson që vitin e ardhshëm të ketë 2500 punonjës në central, por ngurrimi i qeverisë së re britanike duket se ka frenuar këto plane.

Pritet që centrali i ri bërthamor të sigurojë 7 për qind të energjisë elektrike që i duhet Britanisë së Madhe.

Ekspertët thonë se qeveria është frenuar pas raporteve të shumta që flasin për kostot e larta që do të ketë prodhimi i energjisë në këtë central, ndërkohë që prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme po bëhet gjithnjë e më i lirë.