KShZ: Vazhdon regjistrimi, deri më sot janë paraqitur 397 persona

29.07.2016 16:17

Qytetarët që ndodhen në listën e votuesve kontestues kanë vazhduar edhe sot të paraqiten....

Qytetarët që ndodhen në listën e votuesve kontestues kanë vazhduar edhe sot  të paraqiten në hapësirat e  Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ose të njëjtën e kanë bërë në zyrat e posaçme rajonale apo nëpërmjet ueb aplikacionit.

Kështu njoftojnë për media nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, me ç’rast konfirmojnë se deri më sot numri i personave që kanë kërkuar verifikimin e të dhënave personale që dolën të kontestueshëm në listat e votuesve ka arritur në 397.

Sipas KShZ-së, 86 prej tyre janë paraqitur në zyrat rajonale apo zyrat shtesë të KShZ-së, derisa 311 qytetarë të tjerë paraqitjen e kanë realizuar nëpërmjet ueb aplikacionit.

Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor thonë se kompetentët po vazhdojnë me verifikimin e personave kontestues në listat e votuesve, ndërkaq sërish ftojnë të gjithë qytetarët të cilët ndodhen në listën e kontestuar të paraqiten dhe të shfrytëzojnë njërën nga mundësitë për të verifikuar të dhënat e tyre, me qëllim që të sigurojnë të drejtën e tyre të votës.

Sipas marrëveshjes mes partive politike, në listën kontestuese janë regjistruar gjithsej 39 mijë e 502 qytetarë, të cilët të drejtën e tyre të votës duhet t’a konfirmojnë deri më 19 gusht. Përndryshe, pas këtij afati, do t’a humbin të drejtën e tyre qytetare për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)