Zgjedhjet presidenciale në ShBA, zyrtarizohet nominimi i Hillary Clinton
Hillary Clinton ka pranuar nominimin historik të partisë demokratike...

Hillary Clinton ka pranuar nominimin historik të partisë demokratike për të qenë kandidatja e cila do të garojë për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
“E pranoj nominimin për funksionin presidencial të ShBAsë me qetësi, vendosmëri dhe besim të pakufizuar në të ardhmen e Amerikës”,- deklaroi mes tjerash Clinton.
Ajo ka folur edhe rreth programit të saj, duke shtuar se nuk do të ndalojë asnjë besim dhe se do të punojë së bashku me të gjithë amerikanët dhe aleatët e vendit për të mundur terrorizmin.
“Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci. Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku”,- tha kandidatja për presidente, Hillary Clinton.
Në fjalimin e saj nuk kanë munguar as akuzat ndaj rivalit të saj, Donald Trump.
“Ai e humb qetësinë edhe me provokimet më të vogla, qoftë kjo një pyetje nga një reporter apo një sfidë për debat. Ai gjithashtu nuk mund të jetë i qetë përballë një protestuesi. Imagjinojeni atë në zyrën Ovale përballë një çështje krize. Një personi të cilin mund t’a provokosh me një postim në twitter nuk mund t’i besosh armët nukleare”,- tha Clinton.
Fjalimin e Clintonit presidenti Obama e ka cilësuar si të shkëlqyer, duke shprehur mbështetjen e tij dhe duke thënë se është personi i duhur për të qenë presidentja e ardhshme.
Në zgjedhjet e nëntorit, Hillary Clinton do të përballet me kandidatin republikan Trump dhe do të jenë shtetasit amerikanë ata që do të vendosin se cili prej tyre do të jetë president i ardhshëm i ShBA-së.
Hillary Clinton ka hyrë tashmë në histori, pasi është gruaja e parë që nominohet për garën presidenciale nga një prej dy partive të mëdha. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
