Reforma në drejtësi, përplasje PS-LSI
Me miratimin e reformës në drejtësi, hapi i radhës është miratimi i 7 ligjeve të kësaj reforme...

Me miratimin e reformës në drejtësi, hapi i radhës është miratimi i 7 ligjeve të kësaj reforme.
Qeveria kërkon miratimin urgjent të tyre, por Partia Demokratike deklaron se ato duhen miratuar me hyrjen në fuqi të reformës, më 11 gusht.
Pikërisht ngërçi i krijuar mbi afatet e miratimit të ligjeve ka vënë në lëvizje politikën shqiptare dhe ambasadorët. Këta të fundit janë takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe kreun e Komisionit të reformës, Fatmir Xhafa.
Sapo ka dalë nga takimit, Meta ka deklaruar se deri më 11 gusht deputetët mund të vazhdojnë të qetë pushimet, por më pas mund të mblidhet parlamenti posaçërisht për 7 ligjet.
Ndërkohë, kryeministri, Edi Rama, ka deklaruar gjatë një aktiviteti me policinë se balta që hedh PD ndaj Qeverisë është veçse vlerësim për punën e mirë që po bëhet. Kjo erdhi si kundërpërgjigje e akuzave të liderit demokrat, Lulzim Basha, i cili akuzoi se për shkak të keqqeverisjes, në Shqipëri është rritur krimi dhe gjendja ekonomike ka shkuar pikiatë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
