Zbatimi i ligjeve të “Përzhinës”, Kadriu: I nevojshëm vullneti politik

29.07.2016 18:16

Pakoja e ligjeve të “Përzhinës” pas miratimit do të kalojë në duar të institucioneve për zbatim....

Pakoja e ligjeve të “Përzhinës” pas miratimit do të kalojë në duar të institucioneve për zbatim.

Sipas eksperti juridik, Osman Kadriu, kjo pako i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve, por zbatimi do të varet nga vullneti i partive politike e jo vetëm nga institucionet. Kadriu thotë se partitë me përgjegjësi të theksuar duhet të insistojnë në realizimin e pakos së ligjeve.

“Me këto aktivitete nënkuptojmë ndryshimin dhe plotësimin e pakos së ligjeve që kanë të bëjnë me marrëveshjen politike, të cilat ligje tash në formë të pastruar edhe u miratuan nga parlamenti dhe me zbatimin e tyre mendoj se do të krijohen edhe kushte që deri në fund të vitit të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme. Subjektet politike duhet patjetër, me përgjegjësi të theksuar, tash të insistojnë të realizohet gjithçka që është e përfshirë në ligje”,- deklaroi analisti, Osman Kadriu.

Por, eksperti juridik, Osman Kadriu, theksoi faktin se në ndryshimet ligjore nuk është parashikuar gjyqësor i pavarur, i cili do të ndihmonte Prokurorinë Speciale të zbardh “bombat” politike. Sipas Kadriut, pa ndriçimin e veprave penale nuk mund të ketë zgjidhje të krizës politike, andaj patjetër do të duhet të ndërhyhet në pushtetin gjyqësor.

“Meqenëse paralelisht me themelimin e Prokurorisë Speciale nuk u themelua edhe Gjykatë Speciale, është më se e nevojshme tani të ndërhyhet në gjyqësorin penalo–juridik, me themelimin e departamenteve penalo-juridike edhe atë në tri instanca. Instanca e parë nënkupton Gjykatën Penale në Shkup, instanca e dytë Gjykatën e Apelit dhe instanca e tretë Gjykatën Supreme të Maqedonisë. Pa zbardhjen dhe zbërthimin e krizës juridike në Maqedoni nuk mund të ketë zgjidhje të krizës politike”,- theksoi analisti, Osman Kadriu.

Sipas Kadriut, ndryshimet në ligje nuk avancojnë çështjen shqiptare, ndërkaq pastrimi i listës zgjedhore është më se i nevojshëm. (Meral Ismaili, TVM2)