Botë

Prishtinë, 50 të lënduar në “Beer Fest”

30.07.2016 15:06

Pesëdhjetë persona pjesmarrës në festivalin e birrës në Prishtinë kanë kërkuar mbrëm ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente...

Pesëdhjetë persona pjesmarrës në festivalin e birrës në Prishtinë kanë kërkuar mbrëm ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente si pasojë e lëndimeve të marra nga paniku që ndodhi mbrëm pasi u dëgjuan të shtëna.  

Numri më i madh i të lënduarve ishte i gjinisë femërore, por të gjithë të lënduarit pas trajtimit mjekësor janë dërguar në shtëpi, pasi gjendja shëndetësore e tyre ka qenë e mirë.

Me lëndime të rënda ka qenë vetëm një person i cili gjatë ikjes kishte rënë në një xham, por edhe ai është lëshuar për trajtim mjekësor në shtëpi. Specialistja e mjekësisë emergjente, Dafina Basholli, për mediat e Kosovës ka bërë të ditur se “Trajtim mjekësor është kërkuar nga 50 pacientë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku siç ka bërë të ditur policia një person i dehur ka shtënë me armë në ajër, por nga këto të shtëna nuk ka pasur të lënduar.

Daut Hoxha, zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se qytetarët janë lënduar nga paniku, dhe teksa kanë ikur kanë lënduar njëri-tjetrin. Pas ngjarjes së mbrëmshme dy netët e ardhëshme të festivalit të birrës anulohet, ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas tij numri i madh i njerëzve mbrëmë ka tejkaluar të gjitha kapacitetet organizative dhe ka shpërfaqur disa probleme substanciale. 

Kryesoret kanë qenë mungesa e kapacitetit për të garantuar sigurinë nga ana e organizatorëve për shkak te numrit të madh të njerëzve dhe prania e madhe e minorenëve nën moshën 18 vjeç në shesh.

Për këto arsye kam vendosur që të revokojmë lejen e Beerfest per sot dhe nesër, thekson kryetari i Prishtinës.

Ngjarja vjen në një kohë kur Europa është tronditur nga disa sulme terroriste, më të fundit ato në Gjermani.

Kjo ka bërë që menjëherë pas të shtënave, të pranishmit në festival të vraponin nga paniku, nga frika se bëhej fjalë për një sulm terrorist.

NAIM SINANI