Turqi: Shkarkohen 1389 pjestarë të armatës, Erdoganit nuk iu lejua fjalim në një tubim në Këln
Turqia i ka shkarkuar 1,389 pjesëtarë të forcave të armatosura, për shkak të dyshimeve për lidhje me klerikun islamik, Fethullah Gulen...

Turqia i ka shkarkuar 1,389 pjesëtarë të forcave të armatosura, për shkak të dyshimeve për lidhje me klerikun islamik, Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara, e të cilin Ankaraja e fajëson se kishte dorë në përpjekjen e dështuar për puç ushtarak më herët këtë muaj.
Ky raport i sotëm i agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, u paraqit disa orë pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka propozuar që Shtatmadhoria e ushtrisë dhe Agjencia e spiunimit të jenë nën autoritetin e presidencës.
Erdogan, po ashtu, ka thënë se shkollat ushtarake do të mbyllen, ndërsa do të hapet një universitet kombëtar i mbrojtjes.
Këto ndryshime të propozuara janë hapat e fundit të ndërmarra nga autoritetet turke në kuadër të goditjes së gjërë pas puçit të dështuar më 15 korrik.
Ndërkohë me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë është ndaluar fjalimi i Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan para të pranishmëve që do të mblidhen në tubimin "për demokraci kundër grushtit të shtetit", i cili do të mbahet sot në Këln.
Organizatori i tubimit është Platforma për demokraci kundër grushtit të shtetit.
Megjithatë, fjalimi I Erdogan nëpërmjet një teleconference nuk u lejua për shkak të “shqetësimit të policisë së Këlnit për sigurinë e qytetarëve”.
Përfaqësuesit e platformës iu drejtuan gjykatës lokale, pasi që edhe kjo ia refuzoi kërkesën, organizatorët iu drejtuan gjykatës më të lartë.
Gjykata e Lartë vendosi në favor të policisë, pas së cilës kërkesa iu dërgua Gjykatës Kushtetuese, e cila poashtu u shpreh se policia ka të drejtë dhe mbështeti vendimet e marra më parë.
Kryetari i Unionit të Demokratëve turko-evropian Zafer Sirakaya konsideron se nga pikëpamja ligjore, ky vendim nuk ka kurrfarë baze ligjore.
“Është shumë e qartë se bëhet fjalë për vendim politik”, thotë Sirakaya.
MERAL ISMAILI
