Botë
Turqi, arrestohet një grup i ri prej 11 ushtarësh
01.08.2016 11:02
Një grup ushtarësh janë arrestuar pranë Marmarasë në Turqi, nën dyshimin se ishin përpjekur të rrëmbenin presidentin Erdogan...

Një grup ushtarësh janë arrestuar pranë Marmarasë në Turqi, nën dyshimin se ishin përpjekur të rrëmbenin presidentin Erdogan gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, dy javë më parë, teksa ky I fundit ishte me pushime.
Forcat speciale turke arritën t’i gjurmonin dhe t’i arrestonin në një zonë të pyllëzuar. Të shtëna me armë zjarri janë raportuar gjatë operacionit të ndalimit të tyre, por nuk ka raportime për viktima.
Mes 11 ushtarëve të arrestuar përgjatë natës mes të dielës dhe të hënës ishte edhe majori Sukru Seymen, komandanti i dyshuar i grupit. Më shumë se 20 anëtarë të tjerë të kësaj skuadre ushtarake të dyshuar për përfshirje janë tashmë në paraburgim, në pritje të seancave gjyqësore ndaj tyre.
Që prej përpjekjejes së dështuar për grusht shteti, Erdogani ka nisur një fushatë spastrimi të atyre që dyshohen të jenë të lidhur me atë natë paniku e terrori në Turqi.
Me dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar, shkarkuar apo pezulluar nga pozicionet e tyre në ushtri, drejtësi, shërbimet civile apo arsim.
Autoritetet turke akuzojnë klerikun mysliman që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, ai trurin organizator të përpjekjes për grusht shteti, diçka që në fakt vet predikuesi e ka mohuar kategorikisht.
Të premten e javës që lamë pas, ministri turk i Brendshëm tha se mbi 18 mijë njerëz janë burgosur për grushtin e dështuar të shtetit, prej të cilëve 9.000 janë arrestuar formalisht, ndërsa rreth 50 mijë shtetasve turq iu janë bërë të pavlefshme pasaportat e tyre.
MIRJETA ZIBERI
