Bekim Murati pret Drita Islamin, atleten e vetme shqiptare nga Maqedonia në LOV
Drita Islami do të jetë përfaqësuesja e vetme shqiptare e delegacionit të Maqedonisë...

Drita Islami do të jetë përfaqësuesja e vetme shqiptare e delegacionit të Maqedonisë, në Lojërat Olimpike Verore, që prej 5 e deri më 21 gusht, do të mbahen në Rio de Zhaneiro të Brazilit.
Atleten shpresëdhënëse, një ditë para nisjes për në kryqendrën sportive botërore për tri javët e ardhshme, e priti Bekim Murati, kryetari i Komunës Saraj, të cilës I takon edhe ajo.
Pas takimit, Murati u shpreh i lumtur që një sportiste e komunës të cilën e udhëheq ai, do të jetë e vetmja shqiptare nga Maqedonia në Rio, duke I dëshiruar sukses dhe paraqitje sa më të mirë.
“Kisha nderin që në Komunën e Sarajit të pranoj sportisten e vetme shqiptare nga Maqedonia që do të marr pjesë në Olimpiadën e Rio de Zhaneiros. Ne të gjithë banorët e Komunës së Sarajit, ndjehemi krenar me faktin që e vetmja atlete shqiptare nga vendi ynë, është nga komuna jonë dhe kjo paraqet një respekt të jashtëzakonshëm për gjithë banorët e komunës sonë. Dritës i dëshiroj sukses dhe pa marr parasysh rezultatin, ajo do të mbetet si një ndër krenaritë dhe një ndër sportistet që ka arritur majet dhe rezultatet më të larta në sportin ndërkombëtar”, u shpreh kryetari i Sarajit, Bekim Murati.
Nga ana tjetër, Drita Islami shprehi mirënjohje për përkrahjen të parezerv që ia ka dhënë dhe ia jep Bekim Murati si kryetar i Komunës, njëkohësisht duke paralajmëruar se në Rio, vendin tonë do ta përfaqësoj në mënyrë dinjitoze.
“Ndjehem krenare që jam e vetmja shqiptare nga Maqedonia që do ta përfaqësoj shtetin në Lojërat Olimpike. Realisht jam shumë e re që të priten rezultate kulminante nga unë, mirëpo unë do të isha e kënaqur nëse do të shënoja rekord të ri shtetëror, të cilin veq më e kam arritur dy herë sivjet dhe me të cilin do të kisha siguruar normë për paraqitje në Europianin U23, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Poloni. Shfrytëzoj rastin të falendëroj komunën, për mbështetjen e parezerv të cilën më ka dhënë gjatë gjithë kohës, duke filluar prej hapave të mi të parë në atletikë si dhe familjen time, e cila gjatë gjithë kohës ka qëndruar pas shpinës time duke më përkrahur”, deklaroi Islami.
Ndryshe, Drita Islami, në Olimpiadën e Rios do të garoj në “mbretëreshën e sporteve” – atletikë, në disiplinën 400 metra me pengesë, ndërsa paraqitjen e saj do ta regjistroj më 15 gusht, edhe ate në seancën e pasdites, atëherë kur në program do të janë edhe disa finale të mëdha në po të njejtën kohë. (Mustafa Ademi, TVM2)
