Salzburgu me tetë mungesa, Partizani me shpresa
Duke parë situatën te Salzburgu, Partizani mund ta quajë veten me fat...

Duke parë situatën te Salzburgu, Partizani mund ta quajë veten me fat, pasi kundërshtari i nesërm në Champions ka mungesa të shumta për ndeshjen e kthimit të turit të tretë paraeliminator.
Mendohet se tetë lojtarë mund të mos ketë në dispozicion trajneri Grasia për përballjen me Partizanin.
Reinhold Yabo, Samil Prevljak, Paoulo Miranda, Kristofer Leitgeb janë të dëmtuar dhe konsiderohen mungesa të sigurta. Ndërsa Diadie Samasekou është i pezulluar, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, takim i cili u fitua nga Salzburgu me rezultatin 1-0. Takumi Minamino dhe Hi Çan Huang mungojnë, pasi janë të grumbulluar me kombëtaret në Lojërat Olimpike të Rios.
Në dyshim për këtë takim është edhe Dajot Upamekano. Për shkak të emergjencës, kryesisht në repartin mbrojtës, Salzburgu nuk e ka lejuar mbrojtësin danez, Asger Sorensen, që t’i bashkohet kombëtares së tij në Lojërat Olimpike. 20-vjeçari danez, ndonëse nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ekipin e parë, e ka mirëkuptuar vendimin e klubit, pasi Salzburgu ka vështirësi në mbrojte.
Problemeve u shtohet ecuria e dobët e skuadrës në këtë fillim sezoni. Në dy ndeshje të Bundesligës austriake, Salzburg ka regjistruar një humbje dhe së fundmi barazimin në shtëpi ndaj Volfsberger. Një ecuri që nuk i ka kënaqur tifozët dhe opinionin, të cilët i kanë përkufizuar lojtarët e skuadrës si futbollistë të llastuar dhe të mirëpaguar, që nuk japin më të mirën në fushë.
Të gjithë këta elementë bëjnë që Partizani të besojë te kualifikimi në fazën “play off” të Champions League. Edhe pse në letër mbetet favorit, Salzburgu nuk është edhe aq i frikshëm.
