Botë
Antraksi në Siberi, 1i vdekur 90 të infektuar
03.08.2016 12:21
Një I ri ka humbur jetën, ndërsa 90 persona janë duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore në rajonin më verior të Rusisë, Siberi...

Një I ri ka humbur jetën, ndërsa 90 persona janë duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore në rajonin më verior të Rusisë, Siberi, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së antraksit (plasjes).Viktima e parë e kësaj sëmundjeje është shënuar ditën e hënë.
Deri më tani janë konfirmuar 8 persona të infektuar me antraks, një sëmundje bakteriale e rrallë por vdekjeprurëse. Besohet që ajo të jetë përhapur nga drerët.
Më shumë se 2.300 kafshë të tilla, - të zakonshme në zonat veriore të Europës e Azisë, por edhe Amerikës Veriore, - kanë ngordhur pas shpërthimit të kësaj sëmundjeje në rajonin Yamalo-Nenets të Siberisë.
Gjithashtu janë marrë masa edhe kundër çiftëzimit dhe riprodhimit të drerëve, ndërkohë që problem nxitës për pëhapjen e mëtejshme të sëmundjes është edhe i nxehti ekstrem.
Temperaturat në zonën e rrezikut, e cila tashmë është vënë në karantinë, janë ngjitur deri në 35 gradë Celcius. Rusia ka dërguar në këtë pjesë të vendit edhe ushtarë të stërvitur enkas për luftë biologjike, në mënyrë që të përballet me këtë gjendje emergjence.
Antraksi mund të jetë vdekjeprurës. Bakteria infektuese qëndron në formën e sporeve dhe e fshehur në tokë për vite, përpara se të mund të futet në trupin e ndonjë kafshe përmes një çarjeje apo plage. Tradicionalisht, njerëzit më të prekur kanë rezultuar të jenë ata që merren me kafshët e ngordhura, si për shembull kasapët nëpër thertore.
