Botë
Siri, rebelët hidhen në sulm në Alepo
03.08.2016 14:13
Në rrethinat e qytetit sirian Alepo vazhdojnë luftimet e ashpra...

Rrebelët janë hedhur në ofensivë në përpjekje për të çarë rrethimin e ushtrisë. Ata shpërthyen edhe një bombë të madhe në pozicionet e ushtrisë në zonën strategjike Ramuseh.
Në krahun tjetër, ushtria siriane, e ndihmuar nga avioacioni rus, po përpiqet që t’i ndalojë rebelët.
Ndërsa palët ndërluftuese vazhdojnë të përleshen ashpër, rreth 300 mije civilë kanë mbetur të bllokuar në zonat e rrethuara rebele që prej muajit të shkuar, kur ushtria preu lidhjet e tyre me territorin e kontrolluar nga rebelët.
Komandantë të rebelëve thanë se bombardimet ruse e kanë frenuar ndjeshëm ofensivën.
Tashmë, rebelët po e cilësojnë këtë “beteja e madhe epike për Alepon” dhe sipas ekspertëve është vërtetë kështu, pasi të rrethuara forcat antiqeveritare kishin vetëm dy zgjidhje, të prisnin vdekjen apo të hidheshin në sulm.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut thotw se viktimat janë me dhjetëra nga të gjitha palët luftuese, ku përfshihen rebelët, ushtarët qeveritarë dhe xhihadistët.
Më herët, Rusia kishte lajmëruar hapjen e disa korridoreve humanitare për civilët që duan të largohen dhe rebelët që duan të dorëzohen, por shumë pak njerëz i kanë përdorur ato dhe është e qartë që situata do të zgjidhet nga armët dhe jo nga diplomacia.
