Botë

Rusia, rebelët po përdorin armë kimike në Alepo

04.08.2016 12:32

Ushtria ruse beson se rebelët sirianë përdorën substanca toksike në Alepo, diçka për të cilën Moska ka informuar edhe SHBA-në...

Sipas mediave siriane, gazi toksik ishte brenda predhave që rebelët përdorën kundër ushtrisë qeveritare dhe zonave që ajo kontrollon në qytetin e ndarë. Agjensia e lajmeve ruse Interfax tha se 7 njerëz humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit me armë kimike.

Ende nuk ka një konfirmim të pavarur të akuzave ruse, të cilat u bënë pas raporteve mediatike se në provicën Idlib u përdor gaz klorinë në luftime pasi u rrëzua një helikopter ushtarak rus.

Beteja për Alepon vazhdon e ashpër që prej fundjavës, ndërsa rebelët përpiqen që të çajnë rrethimin e ushtrisë.

Pritet që kjo betejë të jetë vendimtare për të ardhmen e qytetit që dikur ishte një qendër tregtie dhe tani është shndërruar në rrënoja pas 5 viteve lufte civile.  

Rreth 300 000 civilë kanë mbetur të bllokuar në qytet dhe pavarësisht hapjes së korridoreve të evakuimit nga rusët, shumë pak njerëz i kanë përdorur ato.

Ushtria siriane, e mbështetur nga avionët rusë, ka përparuar ndaj rebelëve.

Forcat e opozitës po tentojnë të rezistojnë sa më shumë në përpjekje që të arrijnë një marrëveshje duke shpresuar në ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, që prej kohësh paralajmëron për katastrofën njerëzore në Alepo, por që në terren nuk ka bërë asgjë.  

Hapja e korridoreve të evakuimit nga Rusia ishte një mesazh i qartë për rebelët që të largoheshin duke dorëzuar qytetin dhe duke shpëtuar kokën.

Por edhe alternativa që ata duken se kanë zgjedhur , është po aq e qartë. Rrebelët kanë vendosur të luftojnë deri në njeriun e fundit.