Strugë, sonte festivali i 25-të jubilar “Këngë Jeho”
Ngre siparin sot në Strugë edicioni I 25 jubilar I festivalit Këngë Jeho...

Festivali çerek shekullor, ka kontribuar në ruajtjen , përtëritjen dhe kultivimin e këngës, valles kostumeve të rajoneve dhe viseve të ndryshme të gjeografisë shqiptare.
Festivali vazhdon të mbetet festival jo garues por revial, por megjithate nuk do te mbetet pa vlerësimin e profesionistëve të fushave përkatëse, për të përmirësuar mangësitë dhe lëshimet eventuale.
Festivali fillon sot në ora 19:00, me parakalimin tashmë tradicional të ansambleve pjesëmarrëse rrugëve të qytetit, për t’u kthyer në Sheshin “Nënë Tereza”, ku në skenën e hapur, artistët do të shpalosin vlerat artistike, koreografike, kostumografike si dhe ato etnokulturore kombëtare shqiptare.
Por edhe përkundër faktit që festivali është me karakter republikan, Ministria e Kulturës, ka ndarë vetëm 400 mijë denarë apo afro 7 mijë euro për mbarëvajtjen e tre netëve të tij.
Kështu organizatorët janë detyruar të këkrojnë ndihmën e kompanive private dhe komunës së Strugës që festivali të mos dështojë.
Në këtë festival kanë marrë pjesë emrat më të njohur të këngës shqiptare bashkë me shumë koreograf përfshirë këtu edhe baletmaestron Panajot Kanaçi. Gjatë tre mbrëmjeve sa do të zgjasë festivali, 5, 6 dhe 7 gusht, në skenë do të ngjiten 13 ansamble dhe shoqëri kulturore-artistike nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, dhe ansambli i shqiptarëve nga Bursa e Turqisë.
Festivali do të transmetohet drejtpërdrejt në TVM 2 SAT dhe në ditët në vazhdim edhe në ekranin e TVM 2.
