Institucionet e Kosovës dënojnë sulmin e mbrëmshëm ndaj kuvendit

05.08.2016 17:08

Mbrëmë rreth orës 23:00, ndërtesa e Kuvendit të Kosoves, në rrugën ”Agim Ramadani” në Prishtinë

Mbrëmë rreth orës 23:00, ndërtesa e Kuvendit të Kosoves, në rrugën ”Agim Ramadani” në Prishtinë, ka qenë cak i një sulmi nga distanca me anë të një mjeti shpërthyes. Si pasojë e këti sulmi janë shkaktuar dëme materiale.

Sulmi u dënua nga krerët e institucioneve të republikës së Kosovës dhe partite politike, ndërsa deputetët e miratuan një deklaratë politike, duke e kërkuar nga institucionet e kuvendit të Kosovës të zbardhet ky akt kriminal.

“Kërkojmë nga institucionet  të marrin masat e duhura ta zbardhin këtë sulm qyqar. Kuvendi u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e këtij akti kriminal” – tha deputetja, Blerta Deliu.                                                                   

Qeveria e Kosovës ka theksuar se “ky është një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës”.

“Pa dashur të paragjykoj nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se sulmuesit “janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”.

Sulmi është dënuar edhe nga PDK, LDK, Vetëvendosje, AAK dhe partite tjera duke u cilësuar si sulm kundër interesave shtetërore dhe lirisë së qytetarëve. Ka reaguar edhe ambasadori amerikan Greg Delavi, i cili ka thënë se ka mbetur I shokuar nga sulmi ndaj kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë policia e Kosovës ka thënë se po punon në zbardhjen e rastit, duke bërë të ditur se ka gjetur një numër dëshmish lidhur me sulmin. Dëshmitë janë gjetur në afërsi të kuvendit, gjatë zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, bëjnë të ditur zyrtarë të policisë, pa ofruar hollësi të tjera, për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve.

Ndërkohë nëpërmjet një email drejtuar mediave në Kosovë nga adresa “Rugovasit-Rugovasit”, ata marrin përgjegjësin për sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Në emajl thuhet ”I bëjmë lutje qeverise të mos e kaloj demarkacionin sepse do të na tetyrojë të bëjmë sulme edhe më të medha”, thuhet në emajl.

Por mediat e Kosovës kanë kontaktuar përfaqësuesit e Rugovës rreth këtij emaili dhe ata e kanë mohuar një lidhshmëri me këtë email por edhe me sulmin e mbrëmshëm. (Gyltene Sinani, TVM2)