Votuesit e kontestueshëm, përkundër thirrjeve, paraqitja në KSHZ, e ulët

05.08.2016 17:42

Paraqitja e votuesve të kontestueshëm në KSHZ po rrjedh me rritëm të pakënaqshëm...

Paraqitja e votuesve të kontestueshëm në KSHZ po rrjedh me rritëm të pakënaqshëm.

KSHZ njofton se deri më mesditë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë paragjitur gjithsej 2137 qytetarë për të cilët shënimet në Listën zgjedhore pas kontrollit të kryqëzuar dhe atij në teren janë kontestuese, përkatësisht nuk përputhen. Prej tyre 817 janë paraqitur në njësitë rajonale dhe zyrat e KSHZ-së, ndërsa 1320 kanë shfrytëzuar ueb aplikacionin e Komisionit.

Sipas të dhënave, deri tani, në KSHZ janë paraqitur më shumë votues të kontestuar nga Çairi, Tetova, Sarai, Kërçova, Kumanova dhe Aerodromi.

Një ditë më parë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se në uebin e saj tashmë, bashkë me emrat e qytetarëve që ndodhen në këtë listë, i ka publikuar edhe arsyet pse janë gjendur në këtë listë.

Sipas KSHZ-së rreth 18 mijë votues, nga gjithsej 39 500 në listë, janë të dyshimtë pasi nuk figurojnë në asnjërën nga bazat e të dhënave të institucioneve shtetërore.

Arsyeja tjetër, sipas Komisionit është se Drejtoria për udhëheqje me numrat amë, nuk e ka dhënë në kohë regjistrin më të dhënat e plota në KSHZ ndërsa problem paraqet edhe mungesa e adresave nëpër vendbanimet rurale.

19 gushti është afati i fundit për paraqitje. Qytetarët që ndodhen në listën e votuesve të kontestuar dhe që nuk paraqiten në KSHZ deri në 19 gusht, këtë mund ta bëjnë edhe gjatë këqyrjes publike pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)