Maqedoni
Tetova shënon ditën botërore të shëndetësisë
07.04.2014 18:04
Me aktivitete të ndryshme qyteti i Tetovës ka shënuar 7 prillin “Ditën Botërore të Shëndetësisë”...

Me aktivitete të ndryshme qyteti i Tetovës ka shënuar 7 prillin “Ditën Botërore të Shëndetësisë”, aktivitet ky që manifestohet në të gjithë botën. Autoritetet në Tetovë shprehen se shëndetësia në Tetovë ka shënuar përparim sidomos me pajisjen e spitalit klinik të Tetovës me aparaturë më bashkëkohore.
“Kjo ditë e shëndetësisë për këtë vit, për spitalin e Tetovës është shumë e rëndësishme për një arsye, pasi që aparatura më bashkëkohore që u sigurua më herët, këtë vit është vënë në funksion, ne lirisht mund të themi se aparatura që e kemi në funksion është nga më bashkëkohoret”, u shpreh drejtori i spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi.
Autoritetet komunale thonë se gjithmonë po u jepet rëndësi e veçantë shëndetësisë, ndërsa studentët thonë se kontrollet te mjeku janë të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes shëndetësore.
“Duke qenë të vetëdijshëm për nevojën e madhe në ngritjen e nivelit shëndetësor dhe standardeve shëndetësore, ne kemi mbajtur bashkëpunim shumë të afërt me spitalin e qendrës klinike të Tetovës, duke zhvilluar projekte të përbashkëta dhe duke qenë më afër pacientëve në këtë spital në raste të ndryshme, qoftë në klinikën e pediatrisë, gjinekologjisë dhe të tjera”, tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Mesazhi i “Ditës Botërore të Shëndetësisë” është të vaksinojmë veten dhe të mbrojmë familjen nga sëmundjet të cilat transmetohen me vektor siç e dimë, sepse me ngrohjen globale sëmundjet si malaria e kanë dislokuar përqëndrimin e tyre nga vendet afrikane apo ato të ekuatorit nëpër vendet e Ballkanit”, theksoi një student në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Vegim Zhaku.
Dita ndërkombëtare e shënohet nga 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. (Miftar Emini, TVM2)
