Botë

Paris, evakuohet kulla Ejfel, rezulton alarm i rremë

06.08.2016 13:21

Kulla Eiffel në Paris është evakuuar nga të gjithë turistët dhe parizienët e ndodhur atje, pasi shërbimet e sigurisë pikasën një send të ngjashëm me një valixhe të braktisur...

Më pas u bë e ditur se ishte thjesht një çantë shpine, ajo që kishte shkaktuar evakuimin masiv. Në vendngjarje pati një prani të theksuar të forcave të sigurisë, ndërkohë që turistët njoftonin përmes mënyrave të ndryshme se forcat ligjzbatuese ndodheshin kudo përreth kullës.
 
Në hyrje të Kullës Eiffel u shfaqën përveç policëve të armatosur, edhe ushtarë në gjendje gatishmërie. Sipas burimeve të “BMFTV”, evakuimi u krye si masë paraprake për shkak të sulmeve të shumta që kanë goditur Francën në një periudhë thuajse njëvjeçare.
 
Muajin e kaluar, xhihadistë islamik me thika në duar vranë një prift në kishën e tij në Rouen të provincës së Normandisë. Të dy ata rezultuan t’i kishin premtuar besnikëri Shtetit Islamik.
 
Pas vrasjes, presidenti francez Francois Hollande tha se vendi ishte “në gjendje lufte”. Më 15 korrik, një tjetër terrorist islamik drejtoi kamionin drejt turmës që po festonte ditën e Bastijes, në Nicë të Francës.
 
Shifrat e përditësuara së fundi flasin për 85 viktima si pasojë e atij sulmi, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Agresori u vra nga policia.